Gola në portën e mëkatit
Nuk do të harrohen lehtë fjalët e trajnerit Ilir Daja, pasi Dinamo pësoi 4 gola nga Vllaznia në ndeshjen e parë të Kupës: "Sikur të ishim disa pikë larg Partizanit në kampionat do të kishim luajtur seriozisht në këtë ndeshje". Një deklaratë që ka bërë xhiron e habisë, por jo në klubin blu. Për disa, ndeshja groteske në "Loro Boriçi" vërtetoi edhe njëherë se në Kupë shkarkojnë "ujërat e zeza" të kampionatit. Dhe kompromisi i Dinamos me Vllazninë është vazhdim i denjë i futbollit pa moral, që sajuan një vit më parë Besa e Teuta. E për të kujtuar edhe njëherë finalen famëkeqe të Dinamos me Partizanin, kur presidenti Xhani i penduar zbuloi farsën publikisht. Në këto momente, pas goleadës me vlonjatët, thuhet se Dinamo ka një maskë tjetër në ndeshjet e kampionatit. "E dinim që do të fitonim, por jo me kaq shumë gola", komenton Mërgjyshi në vend të Dajës. Kurse për humbjen në Shkodër, në mesjavë, ka rrezik të dinin saktë se sa gola do të pësonin. Trafiku i golave duket sikur po nxit një ndjenjë dyshimi. Flamurtari shënon 3 me Partizanin e pëson 6 me Dinamon dhe trajneri Kovaçiç nuk prononcohet për shthurjen e organizuar të futbollistëve të tij. Është kurioz fakti se analiza e trajnerëve, zakonisht, nuk shkon përtej 90 minutave, në logjikën e javëve. Sepse vetëm kështu mund të ligjërohen rezultatet paradoksale. Ndaj edhe zyrtarë të Federatës nuk humbasin rastin që të reklamojnë rivalitetin në Superiore, në Kategorinë e Parë dhe në ato më poshtë. "Ka më shumë gola në këtë sezon", pohon shefi i garave, Ilir Shulku. Ndërkohë, askush nuk kujtohet të shpjegojë se cila është vlera e golave, kur atyre më shumë i gëzohet administrata se sa vetë sportdashësit. E patë çfarë ndodhi pas ndeshjes së bujshme me 6 gola? Trajnerët ia mbathën, si fituesi Daja ashtu edhe humbësi Kovaçiç. I pari gjoja për arsye gripi, ndërsa i dyti sikur filloi të kuptojë se ky lloj futbolli përcolli brenda natës edhe "mësuesin" e tij Bariç nga kombëtarja.