E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, palët konsensus për ndryshimet kushtetuese

Dy partitë e mëdha kanë rënë dakord që të realizojnë një ndërhyrje në dokumentin themeltar me qëllim realizimin e reformës zgjedhore. Palët kanë pranuar ndryshimin e disa neneve të Kushtetutës, me qëllim garantimin e një procesi të lirë e të ndershëm zgjedhor. Neni 64 në pikën 1 formulohet "Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore". Në pikën 2 parashikohet që "zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial". Në nenin 65 përcaktohet se Kuvendi zgjidhet për katër vjet. Në pikën dy thuhet se "mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjes dhe përfundon ditën e mbledhjes së parë të Kuvendit të ri". Në pikën tre thuhet se "zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt me të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt me datën e mbledhjes së parë të Kuvendit". Në pikën katër përcaktohet se "në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij". Në pikën pesë thuhet se "ligji zgjedhor përcakton periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin". Në pikën e fundit të nenit 65 përcaktohet se "Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme". Në nenin 68, sipas asaj çka është rënë dakord, vendoset që pika një të formulohet "kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm në një zonë zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese sipas kësaj pike". Në pikën dy të këtij neni parashikohet se "në rast se kandidatët paraqiten me lista shumemërore, renditja e kandidatëve në këto lista nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Ligji zgjedhor përcakton rregullat për regjistrimin e kandidatëve". Në pikën me numër tre ndryshohet në formën "në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kriteret dhe rregullat e tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre". Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duket të kenë gjetur një konsensus edhe për shfuqizimin e pjesës së 12 të Kushtetutës që flet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas këtij qëndrimi, ky institucion pushon së ekzistuari, në mënyrë permanente dhe aktivizohet vetëm në periudha zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›