E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama viziton Maliqin: Qytetarët të marrin në duar politikën

Lideri i socialistëve, Edi Rama, ka ftuar qytetarët të marrin në duar politikën. Qyteti i Maliqit ka qenë ndalesa e radhës për të takuar banorët dhe për të ndarë me ta nevojën për një bashkim të ri të të gjithë shqiptarëve. Rama shprehu bindjen se Partia Socialiste nuk është qëllimi, por instrumenti për të realizuar aspiratën e përbashkët, ndërkohë që qytetarët duhet të jenë ata që të marrin në duar politikën. "Ne sot jetojmë në një vend, ku vetëm përpara pak ditësh pamë të shpërthente një vullkan, i cili ishte vullkani i një korrupsioni, që zien nën këmbët tona", tha Rama. Një korrupsion që, sipas tij, po bren themelet e shoqërisë, themelet e Shqipërisë dhe atdheut tonë të përbashkët. "I një korrupsioni që është rezultat i një politike të vjetër, e cila stimulon vetëm klientët e një pushteti, që është në duart e pak njerëzve dhe që pasurohen gjithnjë e më shumë në mënyrë marramendëse, ndërkohë shumë njerëz varfërohen në mënyrë të papranueshme", nënvizoi kreu i PS-së. Këtij korrupsioni, shtoi ai, mund t‘i vijë fundi vetëm nëse i vjen fundi kësaj politike dhe kësaj politike mund t‘i vijë fundi nëse qytetaret dhe qytetarët marrin politikën në dorë. "Dhe e kthejnë politikën në një instrument që na rrit mundësi që të bëjmë gjëra të mundura, të cilat sot na duken të pamundura, gjëra që duken të parealizueshme, të shërojmë plagë që duken të pashërueshme", u shpreh Rama. Ai gjeti rastin të falënderojë të pranishmit, ndërsa nënvizoi se "këtu në Maliq, ne, unë, së bashku me Pandeli Majkon, ndodhemi mes bashkimit të partisë dhe kthimit të bashkisë". Kjo, sipas tij, është ajo që na duhet, një bashkim me gëzim, pasi kështu mund të shkojmë përpara, sepse politika nuk është diçka e trishtuar. "Politika nuk është diçka e cila mërzit, e cila bezdis, e cila lodh dhe neverit, siç na ka mërzitur, bezdisur dhe neveritur politika e vjetër e së shkuarës", vlerësoi kreu socialist. Politika, argumentoi ai, është diçka që duhet bërë me gëzim, është diçka që duhet bërë me pasion, është diçka që duhet bërë me energji pozitive. Në këndvështrimin e Ramës, politika është mundësia që i jepet çdo njeriu në demokraci që të bëjë të mundur të dëgjohet zëri i tij, që t‘i dëgjohen mendimet e tij, që të bëjë të mundur, që energjia e tij t‘i ndryshojë gjërat, për të përmirësuar jetën, për ta bërë më të bukur vendin ku jeton. Bashkimi, sipas Ramës, i jep fund politikës së mbyllur në kutinë e televizorit, vetëm për të bërë cirqe elektorale dhe për të marrë votat, e pastaj për t‘u mbyllur në kutinë e televizorit, duke na lënë më vonë të zhgënjyer dhe pa shpresë. "Është koha për ta kthyer politikën në duart e njerëzve, është koha për ta bërë politikën instrument të çdo qytetari dhe qytetareje, që dëshiron të ndryshojë realitetin përreth", këmbënguli Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›