Kushtetuta, PS refuzon demokratët në 4 pika
Partia Socialiste skicon alternativën e saj përballë propozimeve të Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës. Nën drejtimin e kryetares së grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, është mbledhur dje një grup ekspertësh ligjorë me qëllim hartimin e një drafti konkret. Duke iu referuar propozimeve të bëra prej mazhorancës, ligjvënësit e selisë rozë kanë vënë piketat rreth asaj çka pranojnë ose jo në këtë projekt. Drafti me propozimet do t‘i paraqitet sot kryesisë për të marrë formë zyrtare. Disa çështje për të cilat në grupin e punës nuk ka pasur unanimitet pritet të qartësohen. Sa i takon nenit 87 të Kushtetutës, socialistët nuk mbështesin propozimin e bërë prej demokratëve. Alternativa e selisë rozë ka të bëjë me zgjedhjen e kreut të shtetit përmes votimit popullor. Por e veçanta e propozimit të socialistëve qëndron te kalimi në këtë proces, pasi të jenë konsumuar dhe dështuar tri votimet në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit. Nëse i pari i vendit do mund të zgjidhet me këto votime me shumicën e cilësuar çdo gjë pranohet normale, në të kundërt kalohet në zgjedhje drejtpërdrejtë nga populli. Duke iu referuar nenit 88 të Kushtetutës cilësohet e papranueshme shtesa e propozuar prej PD-së që "procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 35 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur, pas përfundimit të mandatit paraardhës, Kuvendi nuk ka zgjedhur Presidentin, funksionet e tij ushtrohen sipas pikës 1 të nenit 91". E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë se për kohën nga fundi i mandatit të një Presidenti deri te zgjedhja e tjetrit funksionet i ushtron Kryetari i Kuvendit. Detaj ky që, në fakt, ishte në qendër të polemikave në momentin e mbarimit të mandatit të Alfred Moisiut dhe rolit që do luante Jozefina Topalli. Partia Socialiste në draftin paraprak mendon se duhet cilësuar i papranueshëm gjithashtu, neni 93 i Kushtetutës që propozon selia blu. Përmbajtja e tij është "Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Dekretet e Presidentit kundërfirmohen nga Kryeministri ose ministri përkatës, me përjashtim të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenet 87 dhe 104". Sa u takon neneve 104 dhe 105 që propozon për ndryshim Partia Demokratike, socialistët shfaqen të dyzuar. Konkretisht, dy propozimet në fjalë për çështjen e mocionit të besimit dhe mosbesimit për qeverinë pritet të pasohen sot me një qëndrim të qartë nga kupola rozë. Grupi i punës me ligjvënësit e PS-së ka qenë i dyzuar, një pjesë i ka mbështetur në parim duke propozuar vetëm detaje teknike, ndërsa tjerët nuk i kanë pranuar. Mandati i kryeprokurorit duket se është një çështje e zgjidhur mes palëve, ndërsa socialistët janë dakord për një mandat pesëvjeçar me të drejtë riemërimi. Ndërsa paraqesin edhe opsionin që kufizimi kohor i mandatit të jetë jashtë kushtetutës, në ligjin për prokurorinë. Ajo për të cilën nuk bihet dakord në nenin 149 ka të bëjë me një shtesë në pjesën kur flitet për rastin e shkarkimit të kreut të organit të akuzës. Partia Socialiste nuk pranon pjesën e shtuar si rast shkarkimi "për mosushtrim të funksioneve të tij".