Golat me thembër
Në të kaluarën, por edhe në futbollin e sotëm, ndodh të shënohen gola sa të bukur, aq të jashtëzakonshëm. Një i tillë u realizua fundjavën e shkuar nga ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo në fitoren 1-0 ndaj Rayo Vallecanos.
E veçanta e këtij shënimi nga portugezi ishte se ai e dërgoi topin në rrjet në mënyrë vërtet të pazakontë, me thembër.
Rrjeti ESPN ka bërë një përmbledhje të golave të ngjashëm, me thembër e që për protagonistë kanë futbollistë nga një e kaluar e largët, por edhe yje të së sotmes.
Johan Cruyff (Barcelona - Atletico Madrid, 1973-74)
Johan Cruyff shënoi ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij kundër Atletico Madridit. Ai realizoi në fitoren 2-1 ndaj Atleticos, në ndeshjen e kampionatit spanjoll të datës 22 dhjetor 1973. Pak para përfundimit të pjesës së parë, kur rezultati ishte 0-0, Carles Rexach e dërgoi një top që dukej i paarritshëm për Cruyffin, por holandezi e preku atë me thembër dhe mposhti portin e Atleticos, Miguel Reina.
Denis Law (Man Utd – Man City, 1973-74)
Ndoshta goli më i famshëm i shënuar ndonjëherë me thembër. Denis Law shënoi golin e tij të vetëm në derbin e Manchesterit, me të cilin largoi nga liga ish skuadrën e tij. Në fakt, goli nuk ishte goditja ‘vdekjeprurëse’ për Unitedin, pasi ata u desh të fitonin ndeshjen dhe të vareshin që rezultatet e takimeve tjera të shkonin në favor të tyre.
Leopoldo Luque (River Plate - Huracan, 1979)
Në dhjetor 1979, River Plates iu nevojit një barazim në ndeshjen e tij në shtëpi me Huracanin për të siguruar përfundimin në pozitën e dytë në Zona B dhe kualifikimin për në fazën eliminatore të Campeonato Nacional. Goli vendimtar u shënua nga Luque, i cili kërceu para portierit para se me thembër të dërgonte topin ne rrjet. River në fund fitoi garën e nokautit dhe u bë kampion i Argjentinës.
Rabah Madjer (Porto - Bayern Munich, 1987)
Tri herë fituesi i Kupës evropiane, Bayern Munich konsiderohej favorit për të fituar trofeun për herë të katërt nga përballja në finale me Porton në Vjenë. Ata ishin në rrugë të mirë drejt triumfit pas golit të epërsisë nga Ludwig Kogl në minutën e 25-të. Porto, edhe pse dukej i rrezikshëm në sulm, nuk po arrinte të depërtonte ndaj Bayernit dhe kur ndeshja po hynte ne 15 minutat e saj të fundit, intervenoi reprezentuesi algjerian Rabah Madjer. Pas një kombinimi mes Juaryt dhe Frascos, topi mbërriti te Madjer, i cili i kthyer me shpinë nga porta e goditi rastësishëm topin dhe shënoi për barazimin e rezultatit. Madjer po ashtu shërbeu për Juaryn për golin e fitores 2-1 të Portos.
Lee Sharpe (Man Utd - Barcelona, 1994-95)
Manchester United kishte kaluar në epërsi nëpërmjet Mark Hughesit, ishte në rrezik të shijonte humbjen e parë pas 53 ndeshjeve evropiane në shtëpi, kur Romario dhe Jose Mari Bakero kaluan Barcelonën në epërsi 2-1 në Old Trafford. Por, në minutën e 81-të, Djajtë e Kuq barazuan me golin me thembër nga Lee Sharpe, pas një aksioni ku të përfshirë ishin Paul Ince dhe Roy Keane.
Roberto Mancini (Parma - Lazio, 1998-99)
Roberto Mancini i ndihmoi Lazios të mposhtte Parmën 3-1 dhe fitoi titullin në Itali në sezonin 1998-99. Lazio ishte duke barazuar 1-1, kur Mancini intervenoi duke realizuar me thembër në minutën e 23-të. Trajneri i Lazios, Sven Goran Eriksson, kishte deklaruar pas ndeshjes: “Ju vetëm duhet të ngriheni dhe të duartrokitni një gol të tillë”.
Gianfranco Zola (Chelsea - Norwich City, 2001-02)
Goli nuk kishte rëndësi të madhe në rrjedhën e lojës - Chelsea fitoi 4-0 ndaj Norwich Cityt në rrethin e tretë në FA Cup – por ishte një prej shënimeve më të bukura në karrierën e sulmuesit Gianfranco Zola. Italiani mposhti portierin Robert Green duke realizuar me thembër, pas harkimit nga Graeme Le Saux.
Thierry Henry (Arsenal - Charlton Athletic, 2004-05)
Në tetor 2004, Arsenali mposhti Charlton Athleticun 4-0. Por, ajo që ra në sy më së tepërmi ishte goli i realizuar në mënyrë mjeshtërore me thembër nga legjendari Thierry Henry. Jose Antonio Reyes shërbeu për Henryn, i cili goditi topin me thembër duke mposhtur portierin e Charltonit, Dean Kiely. Henry dhe Reyes shtuan edhe nga një gol në fitoren e thellë të Arsenalit.
Zlatan Ibrahimoviç (Inter - Bologna, 2008-09)
Kur Inter ishte nikoqir i Bolognas në tetor 2008, pak më tepër se një muaj pasi Jose Mourinho kishte marrë drejtimin e ekipit, spekulimet rreth të ardhmes së tij kishin filluar. Portugezi ishte nën presion, por prej tij e nxori sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç. Në rezultatin 0-0, suedezi kaloi Interin në epërsi, kur me thembër e devijoi topin në portë pas harkimit nga Adriano. Nerazzurrët fituan ndeshjen 2-1.