Krahasimi Shaqiri - Messi

Xherdan Shaqiri ishte njëri prej lojtarëve më të mirë të Zvicrës në duel me Argjentinën. Mesfushori i Baselit ka demonstruar se çka mund të bëjë në nivelin ndërkombëtar. Goli i tij përkohësisht e barazoi rezultatin, por për fitoren e argjentinasve u përkujdes Lionel Messi, i cili realizoi het-trik.
Mesfushori i Baselit ndihet i zhgënjyer për humbjen e pësuar në Bernë, pasi që loja ishte e nivelizuar dhe Helvetikët i pësuan dy gola të shpejtë në fund të ndeshjes. Sidoqoftë, 20 vjeçari ndihet i privilegjuar që pati rastin të luante me futbollistin më të mirë në botë, Lionel Messi, edhe pse si kundërshtar.
“Jemi mjaft të zhgënjyer. Nëse në fund shikohet rezultati 1:3. Mendoj, sigurisht, që nuk është i drejtë. Të gjithë në stadium e kanë parë se sa mund të mësojmë nga Messi. Ajo që ka bërë ai është unike. Është kënaqësi ta shohësh atë duke luajtur futboll”, deklaroi futbollisti i ardhshëm i Bayern Munichut.
Granit Xhaka po ashtu bëri një paraqitje të shkëlqyeshme. Edhe mesfushori tjetër i Baselit nuk pajtohet me humbjen e pësuar nga jug-amerikanët, por thotë se kjo ndeshje i shërben si mësim ekipit të Ottmar Hitzfeldit.
“Përpos dy golave të fundit, mendoj se kemi bërë një lojë të mirë. Mëkat që pësuam humbje. Mirëpo, fatkeqësisht ndodhin këto gjëra. Tash duhet të shikojmë përpara”, theksoi 19 vjeçari pas ndeshjes.
Ndërkohë, ekipin zviceran e përfaqësoi edhe sulmuesi Admir Mehmedi, i cili aktualisht luan në Dynamo Kiev. Ish futbollisti i Zurichut ka mbetur i kënaqur me lojën që e bënë zviceranët, por kërkon që në të ardhmen të mos përsëriten gabimet në fund të ndeshjes.
“Kemi luajtur mirë për rreth 80 minuta dhe kemi bërë paraqitje të mirë. Më pas bëmë gabime, të cilat na kushtuan rëndë”, deklaroi futbollisti shqiptar nga Maqedonia.
Shaqiri, Messi i Zvicrës
Xherdan Shaqiri është bërë lojtari më i rëndësishëm në Zvicër. Kjo pas shpërthimit të tij në dy vjetët e fundit dhe falë marrëveshjes që e arriti me Bayern Munichun, të cilit do t’i bashkohet gjatë verës.
Për 20 vjeçarin shikuesit e pranishëm në stadium e kishin përgatitur një mini-koreografi, duke ngritur lart parulla në të cilat shkruante: ‘Messi zviceran’, dhe ‘Shaqiri, ti je Messi ynë’. Dhe, futbollisti gjilanas nuk zhgënjeu. Ai i gëzoi përkohësisht tifozët zviceranë me golin e barazimit momental.
Statistikat: Messi vs Shaqiri
Përpos përballjes në mes të Zvicrës dhe Argjentinës, të mërkurën mbrëma pati edhe një përballje tjetër: ajo ndërmjet Lionel Messit dhe Xherdan Shaqirit. Mediet zvicerane e kanë bërë një krahasim në detaje të paraqitjes së yllit të Barcelonës me atë të Baselit.
Shaqiri - Messi
109 Kontakte me top 135
45 Pasime totale 51
8 Duele totale 20
5 Duele të fituara 11
38 Pasime të sakta 38
4 Goditje në portë 7
1 Gola 3
0 Asistime 0
1 Faulle të shkaktuar 3
0 Faulle të pësuar 2