E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani provokon sfidën, Kovaçiç-Lika, synojnë 3 pikët



Në dy takimet sezonale janë ndarë në dy barazime ideale (0-0, 0-0), por Flamurtari-Partizani, ende pa u luajtur, ka prodhuar polemika të mëdha. Presidenti i të “kuqve”, Albert Xhani, i kërkoi Sektorit të Garave të Federatës Shqiptare të Futbollit, zëvendësimin e gjyqtarit Sazan Velçani. Akuza është: “Ai është një tifoz i Dinamos”. Fakti, të cilit i referohet Xhani, është akordimi i një penalltie në minutën e 94-t në takimin Dinamo-Teuta (2-1), pas së cilës “blutë” siguruan edhe trepikëshin që krijoi edhe diferencën prej 2 pikë midis dy kryesueseve.
Gjithsesi, në ndeshjen e fundit që Velçani ka gjykuar një ndeshje të Partizanit, formacioni i Likës fitoi me Vllazninë (1-0) me golin e Elis Bakajt. Polemikat ndaj gjyqtarëve nga kampi i kuq janë të përsëritura, kjo dhe për faktin, se Partizani është ndëshkuar disa herë nga vendimet e tyre. Skuadra udhëtoi për në Vlorë, por Lika nuk do të ketë në dispozicion dy prej lojtarëve titullarë, mesfushorët Blendi Shkëmbi (i dëmtuar) dhe Bledar Devolli (të pezulluar). Për Flamurtarin i pezulluar është kroati Alvizh. Partizani javën e kaluar nuk arriti ta shfrytëzojë hapësirën që iu krijua, duke u ndalur në nja barazim të zbehtë me Kastriotin (0-0), ndërsa Flamurtari humbi në Shkodër me Vllazninë (2-0). Kundër Partizanit, trajneri kroat i Flamurtarit, Sllavko Kovaçiç, synon edhe autokritikën e skuadrës së tij, pas humbjes së sfidës me malaziasin e shkodranëve, Dervish Haxhiosmanoviç.
Dy skuadrat i ndan pas 25 javëve një diferencë prej 17 pikësh, por nëse Partizani lufton për titullin e 16-të kampion (i mungon prej 15 vjetësh), Flamurtari, 2 herë kampion i Shqipërisë, ndodhet në zonën e “ngrohtë” të Superligës.

0-0

Në dy takimet e para gjatë sezonit aktual dy skuadrat “ndanë” miqësisht pikët, me dy barazime pa gola, si në Vlorë ashtu dhe në Tiranë, ndërkohë që të “kuqve” u duhet patjetër fitorja për të mos u shkëputur nga Dinamo, kur kanë mbetur edhe 7 javë nga përfundimi i Kampionatit të 69-të Kombëtar.

113

Dy skuadrat janë përballur 113 herë midis tyre. Vetëm 16 herë ka fituar Flamurtari, kundrejt 65 fitoreve të Partizanit (32 barazime).

Nga mbijetesa te formaliteti, por edhe 1x2

Mbijetesa

Teuta dhe Besëlidhja do të përballen në një sfidë të ashpër për mbijetesë dhe shumë të rëndësishme për shmangien e “zonës së akullt”. “Djemtë” e detit humbën në minutën e fundit me Dinamon (2-1), ndërsa Besëlidhja fitoi në Korçë me Skënderbeun (0-2). Në dy përballjet sezonale: 0-0 në Lezhë (faza e parë) dhe fitore 2-0 e Teutës në Durrës. Ky është dhe takimi 46-të midis dy ekipeve: 19 fitore Teuta, 11 fitore Besëlidhja (15 barazime).

Formaliteti

Pasi realizoi një përmbysje historike, kur më nëntë lojtarë mposhti Elbasanin (2-1), Tirana ndodhe përballë një sfide të konsideruar si një formalitet përballë Skënderbeut, që ka humbur 20 nga 25 ndeshjet e luajtura. Gjithsesi, në bilancin e varfër korçar, një nga tre fitoret e skuadrës së Renato Rrapos, është arritur kundër bardhebluve (4-2), që provokoi edhe shkarkimin e Starovës.

I ka të gjitha

Elbasani kërkon të bëjë autokritikën më të mirë përballë një Bese ambicioze, përpara se të ndeshjet sërish me Tiranën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të parë Kupës së Shqipërisë. Rezultati është i hapur për dy nga ekipet protagoniste të sezonit, që i ndan vetëm 2 pikë. Një fitore e formacionit të Krenar Alimehmetit, do të thoshte sërish një vend i katërt. Në dy takimet e para: secila skuadër ka fituar në shtëpi.

Dinamo: “Kurrë më gabimin e Besëlidhjes”

Dinamo, kryesuesja e Superligës (51 pikë, pas 25 javëve), do të jetë përballë një provë jo të lehtë në transfertën kundër Kastriotit (24 pikë), takim që do të luhet në stadiumin “Besa” të qytetit të Kavajës (ora 16:30, gjyqtar Lulaj). Në ndeshjen e fundit jashtë shtëpisë, formacioni i Ilir Dajës humbi me Besëlidhjen (1-0), ndërkohë që skuadra e Ramazan Ndreut bëri një prezantim befasues në kryeqytet kundër Partizanit (0-0).
Trajneri i “bluve” tregoi respekt për kundërshtarin në ndeshjen e tretë sezonale, kur në të fundit (8 dhjetor 2007), po në transfertë, Dinamo fitoi 3-0 (Pejiç, Plaku 2 gola. Në përballjen e fazës së parë Dinamo fitoi thellësisht 4-0 (Pejiç 3 gola, Plaku), duke mos pësuar asnjë gol në 270 minuta. Vetëm Pejiç ndodhet tashmë në forcë me Dinamon, pasi Sebino Plaku u transferua gjatë merkatos dimërore te HamKam në Norvegji. Dy ekipet nuk kanë asnjë lojtar të pezulluar në sfidën e 15 historike midis tyre, ku Dinamo ka fituar 9 prej tyre, kundrejt 4 të Kastriotit (e fundit në vitin 1992).

1
Vetëm 1 barazim është regjistruar midis tyre, ndërsa diferenca e golave flet qartë: 30 gola Dinamo, 8 Kastrioti.

Vllaznisë i rëndon ende humbja 4-0

Vllaznia kërkon me forcë pikët maksimale nga ballafaqimi me Shkumbinin në transfertën e Peqinit, por kujtimet e hidhura të asaj humbje “poker” me rezultatin 4-0, ende rëndojnë psikologjikisht në shtëpinë kuqeblu. Në kampin e Gugash Maganit ndodhet një lojtar që e njeh mirë Vllazninë. Ky është ish-sulmuesi i kuqebluve, gjirokastriti Arlind Nora, i cili për fat të mirë apo të keq, shënoi edhe golin e parë të Vllaznisë në fitoren 3-1 të fazës së parë. Por, nëse ish-sulmuesi i Elbasanit synon të kontribuojë për bardhekaltërit peqinas pas humbjes 3-0 me Besën e Kavajës, Shkumbinit i mungon Gentian Stojku, i cili ka realizuar në portën e Grimës tre nga pesë golat që ka shënuar formacioni i presidentit Xhavit Ismaili. Vllaznia (gjysmëfinaliste në Kupë) ndjen presionin e Besës (me pikë të barabarta), për më tepër që i mungojnë dy lojtarë me peshë: Albert Kaçi (i pezulluar) dhe Gilman Lika (i dëmtuar). Sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit (17 gola) synon nga ana e tij të shënojë të paktën një gol kundër peqinasve, kur në 180 minutat e para nuk është autori i asnjë prej 4 golave të realizuar nga skuadra e tij kundër Shkumbinit. Shkumbini, që në shtëpi ka pësuar vetëm një humbje nga 12 takimet e luajtura, kërkon të bëjë kthesën pas humbjes shokuese në Kavajë.

0
Vioresin Sinani, golashënuesi më i mirë i kampionatit (17 gola) nuk ka shënuar asnjë gol kundër Shkumbinit.

36
Ky do të jetë takimi i 36-të midis dy skuadrave: 12 fitore Shkumbini, 5 barazime dhe 17 fitore Vllaznia.

KATEGORIA SUPERIORE
Java 26
5 prill 2008
Kastrioti-Dinamo
Lulaj, Koreshi-Lamçe
Flamurtari-Partizani
Velçani, Mesi-Maloku
Shkumbini-Vllaznia
Peza, Mustafaraj-Salaj
Elbasani-Besa
Meta, Pregja-Salaj
Tirana-Skënderbeu
Dobi, Miho-Guçe
Teuta-Besëlidhja
Latifi, Avdo-Qirici
*Ndeshjet fillojnë në orën 16:30

RENDITJA
1.Dinamo 51
2.Partizani 49
3.Vllaznia 41
4.Besa 41
5.Tirana 40
6.Elbasani 39
7.Shkumbini 34
8.Flamurtari 32
9.Besëlidhja 26
10.Kastrioti 24
11.Teuta 23
12.Skënderbeu 11

KATEGORIA E PARË
JAVA 26
5 prill 2008
Dajti-Tepelena (Bogdani)
Pogradeci-Bylis (Çekaj)
Naftëtari-Bilishti (Hoxha)
Apolonia-Turbina (Ziri)
Sopoti-Gramshi (Taullahu)
Luftëtari-Ada (Masha)
Burreli-Skrapari (Janku)
Tomori-Laçi (Janku)
Erzeni-Lushnja (Breshani)
*Ndeshjet fillojnë në orën 16:30

RENDITJA
1 Bylis 55
2 Apolonia 54
3 Lushnja 53
4 Burreli 49
5 Laçi 46
6 Ada 43
7 Skrapari 36
8 Bilisht 34
9 Pogradeci 34
10 Turbina 34
11 Luftëtari 33
12 Dajti 32
13 Sopoti 27
14 Naftëtari 27
15 Erzeni 24
16 Tomori 23
17 Gramshi 23
18 Tepelena 10

5 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›