E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goldman Sachss

Ana e errët e bankës që bën “punën e Zotit”

“është një lakmitare afatgjatë”. Ky ishte perifrazimi që një nga ish-partnerët e bankës së investimeve “Goldman Sach’s” i bëri institucionit me të cilin u nda në vitin 1960, pas 30 vitesh bashkëpunim. E tillë është edhe strategjia afatgjatë e bankës. Një deklaratë e tillë do të kishte tronditur çdolloj institucioni tjetër, përveç “Goldman Sachs’s” që zor se mund të thuhet ndryshoi ndopak qëndrim në mënyrën e të bërit biznes. Ajo në fakt ka qenë konstante gjatë 80 viteve të ekzistencës së saj. Nga një firmë brokerazhi e vogël ajo erdhi dhe u rrit për t’u shndërruar në një nga institucionet financiare botërore më fitimprurëse, më të fuqishme, por edhe më të dyshimta. Kur shefi aktual i bankës, Lloyd Blankfein, deklaroi një vit më parë se “Banka ishte duke bërë punën e Zotit”, tashmë ekzistonte një dallim shumë i madh mes asaj çka banka mendonte për vete dhe asaj çka mendon për të pjesa tjetër e botës. Komenti i tij erdhi menjëherë pas një artikulli shumë të ashpër në një revistë amerikane në të cilin ajo konsiderohej si “një oktapod vampir që e ka përfshirë njerëzimin me katapultat e tij duke ia pirë vazhdimisht gjakun”. Por ajo që pretendon banka, pra se është duke bërë “punën e Zotit” është gjëja e fundit që në fakt banka ka bërë dhe është duke bërë. Zakonisht, të gjithë ata që pretendojnë se bëjnë punën e Zotit, i kanë hapur rrugën djallit që të bëjë punën e tij përmes tyre. Të premten e kaluar të gjitha ata që mendonin se ai që në fakt drejton biznesin në këtë bankë famëkeqe është djalli morën më në fund lajmin e shumëpritur. Komisioni i Sigurimeve dhe Shkëmbimeve Amerikane (SEC) deklaroi se kishte filluar të hetonte në lidhje me bankën dhe mashtrimet që ajo u kishte bërë investitorëve përmes nxjerrjes së disa instrumenteve financiare, të cilat në fakt, veçse kishin futur para në xhepat e majmë të bankës. Bëhet fjalë për një produkt financiar të posaçëm shumë të ndërlikuar që u shit nga banka gjatë viteve të bumit ekonomik. Sigurisht që juristët e bankës në emër të drejtuesve të saj deklaruan menjëherë se s’do ta mbrojnë reputacionin e institucionit duke kundërshtuar çdo akuzë. Megjithatë, sido që të shkojë puna është për t’u përshëndetur fakti që një bankë vlera e së cilës është 100 miliardë dollarë po akuzohet dhe po del para drejtësisë. Historia e bankës gjatë dhjetëvjeçarit që lamë pas ka qenë historia e një rritjeje të pandalshme dhe me hapa gjigantë. Në vitin 1980, “Salomon Brothers”, që tani janë pjesë e amerikanëve të Citigroup, ishte banka që pati shumë sukses në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1990 një grup firmash amerikane po luftonin me njëra-tjetrën për supremaci, por vitet 2000 pa dyshim që i takojnë plotësisht ngritjes dhe shkëlqimit të “Goldman Sachs’s”. Dhe kjo në të gjitha shërbimet bankare. Banka ishte ose në krye ose numri dy në biznes. Suksesi i tij ishte një kombinim mes punës dhe aftësisë për të tërhequr pas vetes të rinj të talentuar. Askush nga ata që punësoheshin nga banka nuk janë pushuar ndonjëherë nga puna. E megjithatë, të gjithë kanë qenë të ndërgjegjshëm që suksesi i kësaj banke varej shumë edhe nga lidhjet e afërta dhe të brendshme me njerëz të pushtetshëm. Këtë e mbështet edhe fakti që ish-sekretari amerikan i Thesarit, Hank Paulson, personi që mori drejtimin e krizës financiare në kulmin e saj në fund të vitit 2008, ishte më parë ish-shefi i bankës. Një tjetër ish-punonjës i lartë i bankës u caktua që të merrej drejtpërsëdrejti me operacionin e shpëtimit të bankave të fuqishme me paratë e taksapaguesve. Ishte një pozicion që e vinte atë në drejtimin e një mali të tërë me miliarda dollarë nga paratë e taksapaguesve. Edhe në këtë rast “Goldman Sachs’s” ishte përfituese e programit. Ndërkohë, akuza e fundit e ngritur ndaj saj ka në qendër një tjetër personazh të bankës, 32-vjeçarin francez, Fabrice Tourre, i cili është ideatori i produktit për të cilin akuzohet banka. Ajo për të cilën banka akuzohet është fakti se banka duket se i ka sjellë përfitime vetes përmes vuajtjes se klientëve të saj duke qenë e ndërgjegjshme për një fakt të tillë. Kjo do të thotë, sipas akuzuesve të bankës, se ajo i ka vendosur klientët e saj në pozicionin e humbësit me qëllim, pra duke e ditur paraprakisht se ata do të dilnin të humbur e duke vënë bast për humbjen e tyre. Se çfarë ndikimi do të ketë kjo në të ardhmen e bankës është ende e paqartë, gjithsesi ajo është një nga institucionet që duhet të japë llogari në lidhje me akuza për veprime të gabuara financiare para dhe gjatë krizës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›