E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e shqisave

Stilet e jetesës dhe teknologjia i kërcënojnë çdo ditë këto pesë shqisa: ndryshojnë shijen, pamjen, gjumin. Mos vallë këto janë sinjale të revolucionit? Jo, sepse ndryshimi sapo ka filluar dhe kjo gjë i detyrohet shkencës

Aroma gjithnjë e më të forta, volume gjithnjë e më të larta, shije nga botët e largëta, duar më shumë për të punuar sesa për të përkëdhelur, sy për të zmadhuar realitetin se sa për ta parë atë “drejt e në sy”.

Pesë shqisat e njeriut rrezikohen nga stilet agresive të jetesës dhe zhvillimet e papritura të teknologjisë: proteza elektronike që forcojnë më shumë shikimin dhe dëgjimin; aroma të prodhuara në laboratorë, përveç atyre natyrore; shije të pazakonta i ofrohen gojës, duke mbishkruar shijet e kujtesës; teknologji ‘touch screen’ dhe komunikim përmes mesazheve janë mënyrat e reja me të cilat flasin njerëzit. Por si ndryshon mënyra e perceptimit të botës dhe e bashkëveprimit me të, nëse radarët tanë ndryshojnë? çfarë marrim, ose përfitojmë nëse shqisat tona “bëjnë pakt” me shkencën? Po nëse dëgjimi, shikimi, prekja, nuhatja dhe shija nuk janë më të njëjtat? “Do të transformohemi përgjithmonë në qenie kulturore dhe do të largohemi prej natyrës”, thotë një antropologe. “Do të bëhemi tepër të fuqishëm në fushën e zhvillimeve shkencore dhe më pak të ndjeshëm ndaj instinkteve. Paraardhësit tanë ishin ‘vullkane ndjesish’. Në krahasim me ata ne i kemi tepër të dobët, megjithatë e kompensojmë këtë brishtësi përmes teknologjisë”.

Nuhatja, një nga shqisat më të mistershme, është “mbretëresha” e të gjitha gjërave. Në origjinë shërbente për të mbijetuar: për të gjetur ushqim dhe për t’u shpëtuar grabitqarëve. Sot nuhatja, e ekspozuar ndaj aromave artificiale, për shkak të ndotjes, është ndër shqisat “më të përvuajtura”. “Sforcohemi të kërkojmë aroma më të forta dhe të fshijmë ato të hershmet. Tashmë fiksimi i çdo njeriu është të eliminojë gjurmët e së kaluarës”, thotë antropologia.

Për sa i përket shikimit, shohim gjithmonë përmes një mjeti tjetër. Ekziston një interpretim konstant mes nesh dhe gjërave që na rrethojnë: një lente, një ekran, një perspektivë. Po shqisa e të shijuarit? E kemi humbur, por për t’i rikujtuar shijet e humbura njerëzit u rikthehen kurseve të gatimit. Për të mos folur pastaj për dëgjimin, që për shkak të trafikut tepër të rënduar në çdo vend të botës, nuk dëgjojmë më si më parë dhe kemi nevojë për volume më të larta. Jemi të rrethuar nga veshë elektronikë për arsye se kemi zbuluar që sot njerëzit nuk dëgjojnë edhe aq mirë. Nëse zhurmat e forta, aromat e dëmshme, dritat e shumta ndryshojnë shqisat tona, lajmi i mirë është se askush nuk e nënvlerëson fenomenin.

Shqisa e të shijuarit

Me zhvillimin e teknologjisë jemi të ekspozuar ndaj ushqimeve ekzotike. I kemi përzier pothuajse të gjitha shijet, të ëmblën me të kripurën, të thartën me të hidhurën. Ajo që na çudit më shumë është kur shijet ngjajnë me njëra-tjetrën. Të gjithë kemi mendimet tona, të cilat më pas i krahasojmë me shijet. ‘Kuzhina molekulare’, që ka qenë një etapë e rëndësishme e kuzhinës moderne, tregon se çdo popull ka preferencat e veta: ushqimet dhe ëmbëlsirat xhelatinoze preferohen shumë nga spanjollët dhe lindorët. Por ka edhe nga ata të cilët preferojnë shijet ndërkombëtare të “fast food”-eve dhe ato të standardizuara të supermarketeve. Të rriturit e të nesërmes do të përballen me këto shije. Megjithatë ekspertët thonë se njeriu duhet t’i edukojë shijet e tij. Pra ta stërvitim veten: të fusim diçka në gojë, të nuhasim, të shohim, të prekim, të dëgjojmë.

Nuhatja

“Jemi qenie elastike dhe të afta të përshtatemi me realitetin pa zhvillime të vërteta gjenetike”, thotë një ekspert. “Kemi një mori stimujsh, megjithatë jemi ende organizma me të njëjtën trashëgimi shqisore si të majmunëve. Dallimi prej kafshëve janë mjetet për të kuptuar universin dhe për ta ndryshuar atë në favorin tonë. I gjithë studimi është një tentativë për të përhapur shqisat tona”, vazhdon më tej eksperti. Natyrisht që duhani, smogu dhe lëndët kimike i bëjnë dëm nuhatjes. Si pasojë nuk kemi më nuhatjen që kanë pasur dikur paraardhësit tanë, por jemi më të kujdesshëm kur nuhasim aromën e parfumeve dhe ushqimeve të ndryshme.

Shqisa e të dëgjuarit

“Sot, falë zhvillimit të teknologjisë mund të dëgjojnë edhe fëmijët, të cilët më parë nuk mundnin. Mund të shfrytëzohen sinergjitë mes teknologjisë dhe aftësive të përshtatjes së trurit për të zhvilluar forma të reja bashkëveprimi”, bën të ditur një bioinxhinier. “Mjekësia dhe teknologjia po ndikojnë shumë te shqisat tona. Realitetet virtuale po studiojnë se si funksionojnë shqisat që më pas t’i ‘ndryshojnë’”. Sipas studiuesve, sado që shkenca të përpiqet nuk do të mundet t’i ndryshojë shqisat e njeriut.

Shqisa e të prekurit

“Kemi ende shumë për të kuptuar rreth botës virtuale. Jeta jonë vazhdon të zhvillohet në rrjet dhe para tastierës. Përdorim shumë shikimin dhe më pak prekjen”, thotë një studiues. “Mbi rikuperimin e efektit prekje po bëhen shumë investime, sepse është shqisa që vjen para të tjerave dhe depërton më në thellësi. është shqisa përmes së cilës kalojnë emocionet”. Sot marrëdhënia me informacionet është më e prekshme se në të kaluarën. Gishtat janë pjesë e trurit. Për të gjetur informacionin duhet të lëvizim përmes gishtave. Nëse zgjasim duart drejt mausit do të thotë se ne po e mendonim diçka të tillë.

Shqisa e të parit

“Shikimi është një nga shqisat më të dobishme, por edhe ku janë bërë progreset më të mëdha”, thotë një okulist. “Te sytë tanë ekziston një botë e madhe ende e paeksploruar, që shpresojmë ta bëjmë me kalimin e viteve, gjë që do të bëhet e mundur vetëm përmes teknologjisë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›