Martina Navratilova: Gati për tu ndeshur me kancerin
Javën e kaluar faqet e lajmeve të botës së sportit patën si lajm kryesor të tyre rikthimin në fushën e lojës së Tiger Woods, pas shkëputjes relativisht të gjatë për të zgjidhur çështjet personale e familjare. E ndërkohë një tjetër lajm bëri xhiron e botës duke ia marrë edhe vetë Woods, “trofeun” e lajmit kryesor. Bëhet fjalë për njoftimin që kampionia e famshme e tenisit, Martina Navratilova, po përballej me një situatë shumë të rëndë shëndetësore. Lajmi që superkampionia e raketës ishte diagnostikuar me kancer të gjirit dhe se do të niste rrugën e gjatë e të vështirë të terapisë intensive për ta luftuar sëmundjen, i goditi të gjithë fansat e saj dhe përgjithësisht gjithë botën e sportit.
Fatmirësisht shanset që ajo të bëhet mirë dhe t’i rikthehet shëndeti janë të mëdha, e megjithatë ishte një lajm tronditës. Për ata pak që nuk ia kanë dëgjuar emrin, Navratilova, aktualisht 53 vjeçe, është 9 herë kampione e turneut të famshëm të Wimbledon-it, për të mos folur për fitoret e kupat e tjera të shumta të karrierës së saj të jashtëzakonshme. Ajo që me të vërtetë u ka bërë përshtypje shumë njerëzve, është se veç faktit se ishte një teniste e suksesshme, Navratilova ishte shndërruar në njëfarë mënyre në një simbol të mirëqenies fizike dhe të qëndrueshmërisë emocionale. Gjatë gjithë kohës që ka luajtur në fushë ka shfaqur ekuilibër të plotë dhe zotërim të vetvetes. Për gazetën që e nxori e para lajmin e sëmundjes së saj, së cilës i dha edhe një intervistë të gjatë, Navratilova deklaroi se kur e mori vesh për kancerin u shkreh në lot. Dhe kjo, sepse gjatë gjithë jetës së saj e kishte konsideruar veten një njeri me shëndet të hekurt. “Nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend se një ditë do të sëmuresha me grip, e jo më me kancer. Mund ta imagjinoni atë që ndjeva kur më thanë se kisha një sëmundje që për shumë njerëz është fatale. Ndihesha në kontroll të plotë të jetës sime e të trupit tim dhe pikërisht atëherë kur mendoja se isha e pamposhtur, më vjen një lajm që më përmbysi gjithçka”.
Për sa u përket fansave dhe atyre që ia kanë ndier suksesin gjatë viteve të karrierës, edhe ata janë tronditur në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtën arsye. Në fakt ajo që të bën përshtypje dhe të bën mendosh kur dëgjon një lajm të tillë, është fakti se sëmundja nuk pyet shumë nëse një organizëm është i shëndetshëm ose jo. Ajo të zë dhe ty të takon ta heqësh një pjesë të rrugës së jetës me të në kurriz. Për të kuptuar këtë mjafton që t’i hedhësh një sy listës së gjatë të sportistëve që kanë qenë shumë të shëndetshëm e që më pas janë sëmurë me sëmundje fatale dhe kjo pikërisht kur e kanë pritur më pak në jetë. I tillë është rasti i sprintieres, Lilly Board, medalistja e argjendtë e 400-metërshit në Olimpiadën e vitit 1968, e cila vdiq në moshën 22-vjeçare nga kanceri. Më pas mund të përmendim të famshmin e çiklizmit, Lance Armstrong, një nga sportistët me trup e shëndet më të mirë në botë që u prek gjithashtu nga një kancer fatmirësisht jo fatal në testikuj kur ishte vetëm 25 vjeç në vitin 1996. Për fat të mirë, pas një trajtimi të gjatë dhe të vështirë të sëmundjes ai është tani krejtësisht jashtë rrezikut, por gjërat mund të kishin shkuar edhe ndryshe për shëndetin e tij. Navratilova, nga ana e saj, nuk është më ndonjë rioshe dhe ndërkaq ka kohë që është tërhequr nga bota e tenisit dhe e kompeticioneve sportive. Por edhe tani puna e saj e palodhshme dhe personifikimi i simbolit të një femre me fizik të përkryer dhe të shëndetshëm kanë përcjellë gjithnjë mesazhet e fuqisë dhe vitalitetit. Praktikisht e gjithë jeta e saj ka qenë një objekt për t’u studiuar në një mënyrë, apo në një tjetër. Lufta e saponisur me kancerin është në njëfarë mënyre sfida e saj e radhës. Në jetën e saj është përballur me shumë sfida të vështira, që mrekullisht i ka fituar. Dhe kjo betejë e saj ka filluar që kur ishte 18 vjeçe. Ndeshja me Chris Evans, të cilën e humbi në finalet e US Open, i dha mundësinë që të binte në sy, por edhe të shkonte menjëherë në zyrën e emigracionit të Shteteve të Bashkuara e të deklaronte se do donte që të mos kthehej më në çekosllovaki, në vendin e saj, por të qëndronte në Amerikë. Në atë çast nënshtetësia çeke iu hoq nga regjimi komunist i Pragës në atë periudhë, dhe kjo i shkaktoi shumë dhimbje. Por dy vjet më pas, falë arritjeve të mëdha sportive, arriti që ta rifitonte nënshtetësinë. Gjatë gjithë kohës ka deklaruar se kjo nënshtetësi për të ishte thjesht diçka simbolike, që i kujtonte se ku i kishte rrënjët, pavarësisht se tashmë ishte shndërruar në një qytetare të botës. Në fakt, ajo në atë kohë mori menjëherë nënshtetësinë amerikane, duke e quajtur më pas veten amerikane. E megjithatë, kjo nuk e pengoi që disa muaj më parë të deklaronte se si amerikane e natyralizuar i “vinte turp” që vendi i saj i ri kishte qenë 9 vjet nën qeverisjen e një Presidenti si Bush. Në vitin 2002 ajo deklaroi diçka që ishte edhe më e rëndë për amerikanët: “Pjesa më absurde e ikjes sime ishte se unë ndërrova një sistem të padrejtë me një tjetër të tillë, ku liritë e shtypit janë të kufizuara. Republikanët në Shtetet e Bashkuara e kanë manipuluar opinionin publik dhe kjo është dëshpëruese. Vendimet që merren në Amerikë bazohen vetëm në çështje parash, biznesi e fitimesh dhe jo në çështje parimore që kanë të bëjnë me shëndetin dhe sigurinë e njerëzve”.
Sigurisht që artikulime të tilla ishin të jashtëzakonshme për një amerikane të përmasave të saj. Pa dyshim që ajo nuk ishte e para që u shpreh në mënyrë të tillë për Bushin dhe administratën e tij, por ishte e para që po kritikonte vendin që shumë vite më parë i kishte dhënë strehim politik për të shpëtuar nga një regjim komunist, ku shtypeshin të drejtat e njeriut. Kur një gazetare gjatë një interviste e akuzoi se po kafshonte dorën që dikur e kishte ndihmuar, Navratilova me shumë guxim dhe në mënyrë të kthjellët iu përgjigj që në fakt ajo po bënte të kundërtën, po demonstronte ndershmërinë e saj ndaj vendit që i kishte ofruar mikëpritje dhe mbështetje, duke e kritikuar për gjërat që nuk shkonin me synimin për ta parë në ditë të mira. Por pa dyshim që reagimet e saj provokuan të tjera reagime në median e krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo jo rrallë u cilësua si “mosmirënjohëse” dhe “e padenjë”. Por Navratilova ka qenë mësuar me sjellje të ashpra, madje që në vitin 1981, kur në një gazetë e shanë se ajo ishte një teniste që nuk mishëronte feminilitet dhe se loja e saj ishte e denjë për një burrë. Fushata kundër saj u ashpërsua edhe më shumë, kur një nga kundërshtaret e saj në fushë ishte bukuroshja heteroseksuale, Chris Evans. Por të gjitha këto sulme reshtën kur ajo vendosi që të tërhiqej nga karriera dhe në atë moment ajo u konsiderua si një nga “njerëzit-institucion” të botës së tenisit për të gjithë kontributin në fushën e këtij sporti dhe formën e shkëlqyer fizike që kishte shfaqur thuajse gjatë gjithë karrierës. Ishte viti 2006 kur ajo deklaroi se tashmë kishte ardhur koha që të dilte nga fusha e tenisit, duke përfunduar kështu një nga karrierat më të shkëlqyera sportive të historisë. Ishte një karrierë që në fakt pësoi një hije të vogël vetëm me shfaqjen e një tjetër virtuozeje të tenisit, Stefi Graf, e cila ishte një nga sfidantet më të afta të Martinës.
Navratilova është mitike edhe për diçka tjetër. Ajo ka qenë gjithmonë e hapur dhe e drejtpërdrejtë. Ka thënë atë që mendon pa menduar për pasojat që mund të kishte dhe është përpjekur të jetë e ndershme, por jo rrallëherë ka qenë edhe kontradiktore. Si e tillë, bashkëngjitur me suksesin e saj në fushën e tenisit e meriton statusin që ka, atë të njërit prej yjeve më të shndritshëm e më pozitivë të botës së sportit, veçanërisht të sportit të pjesës së fundit të shekullit të kaluar, kur edhe fama e saj arriti kulmin. Për sa u përket arritjeve të saj sportive askush nuk mund të përballet me listën e saj të fitoreve dhe mbi të gjitha të pjesëmarrjes nëpër ndeshje. Gjatë karrierës së saj ka luajtur 167 ndeshje personale dhe 177 në dyshe. Kjo ka kërkuar një përgatitje të madhe fizike dhe një kurajë të madhe. Ajo nuk është zmbrapsur kurrë nga ato që i kanë ndodhur, apo nga komentet e pakëndshme me të cilat e kanë etiketuar. Vitet e fundit është bërë edhe mbrojtëse e të drejtave të kafshëve, sikurse vazhdon që të bëjë fushatë edhe në mbrojtje të të drejtave të lezbikeve dhe homoseksualëve, duke dhënë shuma të mëdha parash në mbështetje të këtyre çështjeve, në të cilat beson. Kjo është arsyeja që ajo nuk është një figurë e rëndësishme vetëm e botës së sportit, por edhe e botës dhe e shumë njerëzve që e shohin si mbrojtëse të të drejtave të tyre dhe si një shembull fitoreje e suksesi falë punës dhe këmbënguljes.
#