E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i ligjit të pensioneve, ish-policët debitorë në banka

Ligji i ri Për problemet ekonomike të kësaj shtrese, jep dorëheqjen edhe kreu i shoqatës, Besnik Bakiu

Ish-policëve, të cilët nuk përfitojnë asgjë nga shteti shqiptar që prej qershorit të vitit 2009, sikur të mos u kishin mjaftuar problemet që kishin, u janë shtuar edhe shqetësimet e bankave. Shumë prej tyre kanë marrë kredi konsumatorësh, duke menduar se me përfitimet për pensionet suplementare do t’i shlyenin. Por, kjo nuk ka ndodhur, pasi këto përfitime nuk janë dhënë nga qeveria, as sipas ligjit të ri për pensionet suplementare, që është kundërshtuar nga e gjithë policia, por as me ligjin e vjetër, me të cilin përfitonin deri në muajin qershor. Përkeqësimi i situatës ekonomike për të gjithë punonjësit e policisë ka bërë që Besnik Bakiu, kryetar i Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim, të japë dorëheqjen. Në një prononcim të shkurtër, Bakiu, i cili ka përkrahur ish-policët, bashkë me sindikatën e punonjësve të policisë me ankesën në Gjykatën Kushtetuese të ligjit të ri për pensionet suplementare, deklaroi se dorëhiqet për shkak të përkeqësimit të trajtimit ekonomik të ish-policëve. “Arsyeja ka të bëjë me sensibilizimin e organeve përgjegjëse në zbatimin e detyrimeve ligjore për këtë shtresë”, deklaroi Bakiu. Aktualisht, gjendja ekonomike e gjithë ish-punonjësve të policisë, që dolën në reformë gjatë vitit 2006, për shkak të shkurtimit të funksioneve organike dhe uljes së gradave, është përkeqësuar dhe vazhdon të mbetet një problem i pazgjidhur. Veç të tjerash, kohët e fundit atyre u është shtuar edhe problemi me kreditë e marra në banka. Sipas të dhënave, kur janë liruar nga policia, kanë marrë kredi të vogla. Për garanci, ata kanë shpjeguar se do t’i shlyejnë kreditë në bazë të përfitimeve që merrnin nga pagat kalimtare dhe më pas nga pensioni suplementar që përfitonin si ish-punonjës policie. Me këto dokumente, ata kanë përfituar kreditë. Por, që nga muaji qershor, kur hyri në fuqi ligji i ri i pensioneve suplementare për punonjësit e policisë, që bashkoi edhe Forcat e Armatosura me ta, këto përfitime u ndërprenë. Qeveria dhe Sigurimet Shoqërore deklaruan në atë kohë se ndërprerja është bërë për shkak të nxjerrjes së akteve normative, nga ana e qeverisë. Nga ana tjetër, e gjithë policia e kundërshtoi këtë ligj, për shkak se krahasuar me ligjin e parë, përqindja e pagesës ishte më e vogël, ndërsa përfitimi më i lartë. Madje, vetëm nga përqindja e mbledhur, që paguhet nga gjithë punonjësit e policisë, në masën 1% të çdo page, dilte për të bërë pagesën e punonjësve të policisë në lirim. Megjithatë, qeveria kërkoi që kjo përqindje të dyfishohet, ndërsa përfitimi të ulet. Për këtë, policët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk ka dhënë një vendim dhe lekët e pensioneve suplementare nuk jepen për përfituesit. Kjo solli përkeqësim të të ardhurave të ish-policëve, të cilët nuk mundën të gjejnë para për të shlyer kreditë. Banka tashmë ka nisur procedurat për sekuestrimin e pasurive të ndryshme, meqë punonjësit e policisë nuk janë kreditorë të rregullt. Ky shqetësim është vënë në dukje edhe nga kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, i cili ka bërë apel që Kushtetuesja t’i japë të drejtë kësaj shtrese për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike dhe sociale.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›