Pensionet, institutet homologe, katalizator për informacion
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në bashkëpunim me institutet më të njohura në fushën e informimit dhe asistencës për emigrantët, me degë në dhjetëra vende të botës, ka marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi. Në bazë të këtij bashkëpunimi, emigrantët shqiptarë, kryesisht ata që janë me banim në Itali apo Greqi, kanë mundësi që nëpërmjet këtyre instituteve të marrin informacione lidhur me përfitimet në Shqipëri. Të gjithë ata që kanë vite pune në vendlindje, që derdhën kontribute, kanë mundësi që të marrin përfitime të pjesshme apo të plota sipas legjislacionit në fuqi.
Këto institute mund të japin asistencë për sa i takon legjislacionit, kërkesave, kritereve, degëve bankare ku mund të dërgojnë sigurimet apo mundësitë për të paguar në distancë vitet e mbetura bosh, për shkak të emigrimit. Emigrantëve shqiptarë, që kanë punuar në Shqipëri, nuk u shkojnë dëm kontributet e paguara gjatë kohës së punës. Por që të marrin një përfitim në formën e pensionit, duhet të përmbushin kërkesat sipas legjislacionit në fuqi. Pensioni i llogaritet secilit në bazë të profesionit, vështirësisë së punës, shkallës së kontributeve, vjetërsisë në punë dhe moshës. Që të përfitosh pension, duhet që patjetër të mbushet mosha e kërkuar për të dalë në pension, e cila llogaritet me ditëlindjen dhe vitin e parashikuar për të lënë punën dhe për të marrë përfitimin. “Blerja” e vjetërsisë në punë dhe vetësigurimi nuk vlejnë vetëm për të përfituar një pension, por edhe për të shtuar përfitimin në para në kohën e daljes në pension. Në rastin e emigrantëve, fermerëve, kur gjendemi të papunë, apo kur jemi në prag të pensionit, na ndihmon vetësigurimi, apo pagesat e prapambetura të sigurimeve shoqërore.
#