Spitali rivendos oraret për vizita te të sëmurët
Për të sëmurin dhe spitalet është e njohur thënia se edhe qetësia shëron. Nisur nga kjo dhe nga nevoja e vendosjes së rregullit në regjimin e hyrje-daljeve të vizitorëve nga dhomat e të sëmurëve, në spitalin “Petro Nako” të Sarandës është përcaktuar një orar i caktuar për vizitat te pacientët. Mjeku pneumatolog, Niko Kuri, sqaron masën e re që i kthehet një tradite të vjetër, por të dobishme. “Nisur nga anashkalimi i vërejtur për nënvleftësimin e këtij rregulli, ne kemi vendosur si drejtori një orar që i përshtatet orës verore, si dhe mundësive praktike që kanë njerëzit që vijnë edhe nga zonat rurale për të kryer vizita te njerëzit e tyre”, tha Kuri. Sipas tij janë përcaktuar si orare të lejuara intervalet nga ora 07:00-07:30 dhe prej orës 10:30-11:30 paradite dhe nga ora 18:30-19:30 pasdite. Këto orare, sipas tij, marrin parasysh edhe oraret e lëvizjes së autobusëve të linjave. Për vendosjen dhe zbatimin e tyre, mbështetje është puna e personelit mjekësor, nga i cili kërkohet të punojë me dyer të mbyllura. Drejtori Kuri u shpreh se në përgjithësi nuk është dëshira e mirë për të respektuar oraret, pasi shpesh thuhet se kjo është një kthim në të kaluarën. Mjekët dhe punonjësit e spitalit kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve në respektimin e rregullit, miratuar pak kohë më parë edhe në spitalin e kryeqytetit.
#