Golf Blue Motion shpenzon “sa një shkrepëse”
Kemi parë që shumë kompani automjetesh të prezantohen me prodhimet e tyre të cilat dallojnë nga forma e vogë por edhe veçori të tjera përsa i përket dizajnit. Volkswagen, këtë radhë vjen më ndryshe se kurrë me “Golf Blue Motion 1.6 TDI”. Përveç përmasave shumë të vogla, specifika e këtij automjeti është se ai do të harxhojë vetëm 3.8 litra naftë në 100 kilometra. Volkswagen është duke lançuar gjeneratën e re të motorëve me naftë e cila do të ndryshojë dukshëm kufijtë e shpenzimit të automjeteve. “Golf Blue Motion” pritet që së shpejti të prezantohet në panairin e automjeteve në Paris. Në kompaninë Volksëagen pohojnë se ky automjet shpenzon vetëm 3.8 litra naftë në një qind kilometra të përshkruara. Sekreti i këtij shpenzimi tepër të ulët ka të bëjë me motorin e ri 1.6 litërsh, me 105 KF si dhe hapat e zgjatur të transmetimit, pneumatikëve me rezistencë të ulët të rrotullimit dhe aerodinamikës së përmirësuar. Përkundër shpenzimit minimal, Golf Blue Motion mund të përshpejtojë deri në 100 km/h për 11.3 sekonda dhe me shpejtësinë maksimale deri në 190 km/h. Mendohet që automjeti të dalë në treg vitin e ardhshëm dhe së shpejti pritet të bëhet i ditur edhe çmimi.
Fotografi të reja të Fordit më të vogël
Disa javë para premierës parisiene të modelit të tij më të vogël “Ka”, prodhuesi i automjeteve Ford ka publikuar fotografitë e automjetit të ri në hapësirën e brendshme por edhe dizajnin e jashtëm. Ford Ka ndan platformën me automjetin e suksesshëm të prodhuesit italian Fiat, modelin 500, derisa ai do të prodhohet në fabrikat e Fiatit në Poloni. Automjeti mendohet të dalë në shitje në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të jetë i pajisur me motorë 1.2 Duratec me benzinë dhe 69 KF dhe 1.3 Duratorc me naftë dhe 75 KF. Motori me naftë në ciklin e kombinuar do të duhet të shpenzojë gjithsej 4.3 litra karburant në njëqind kilometra, pohojnë në kompaninë Ford.
13 Shtator 2008