Gjykata administrative, nis puna për formimin e institucionit në vitin 2009
Ervin Koçi
Gjykata Administrative, e cila deri më tani ka qenë vetëm një ide e shoqatave të biznesit duket se do të formohet shpejt. Në takimin e parë prezantues të projektligjit "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", shoqatat e biznesit, përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Ekonomisë, janë njohur me parimet bazë të kësaj nisme. Në takim, u bë prezantimi për një ndër të rrallat nisma ligjore që ka gjetur pëlqimin e forcave politike. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë tha se, projektligji është një risi, dhe plotëson një institucion që i ka munguar bizneseve dhe ekonomisë së tregut. Me këtë projektligji, synohet që biznesi dhe shteti të jenë të barabartë kundrejt ligjit, dhe jo siç ka ndodhur deri më tani, ku bizneset janë në varësi të apelimeve që parshikohen në ligj. Hartuesit e projektligjit, shprehen se me miratimin e tij do të ketë shpejtësi në zgjidhjen e konflikteve pasi ka afate të përcaktuara qartë për zgjidhjen e proceseve gjyqësore. Projektligji është hartuar në bashkëpunim me ekspertë të OECD-së, ministrive të linjës dhe Konfindustrisë.
Takimi
Dje në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua një takim pune me grupet e interesit, përfaqësues nga komuniteti i biznesit, juristë, për të diskutuar rreth projektligjit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe ngritjen e Gjykatës administrative. Në fjalën e tij ministri Alibeaj, e cilësoi projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, si një iniciativë të rëndësishme ligjore të Qeverisë në funksion të arritjes së standardeve perëndimore. “Ka ardhur koha që sistemi gjyqësor të konsiderohet i tillë kur të konsiderojë shtetin para Gjykatës të barabartë me individin dhe biznesin”,- tha ministri Alibeaj, duke konfirmuar ngritjen e Gjykatës administrative në fillim të vitit 2009. Duke vlerësuar si mjaft të dobishme konsultimet me grupet e interesit në drejtim të përmirësimit të kësaj iniciative ligjore, ministri Alibeaj tha se, “nuk është fjala për një reformim, reformë, por është fjala për t’i dhënë formë diçkaje që i ka munguar sistemit, pra shqyrtimin administrativ. Gjykatat administrative mund të konsiderohen fare mirë si gjykatat e biznesit, gjykatat që janë faltorja e biznesit kundrejt gjykatës administrative, kundrejt abuzivizmit objektiv të administratës publike. Pra jemi aktualisht në një terren, truall pothuajse të shkretë të gjykimit administrativ do të duhet të arrijmë në disa standarde, nivele perëndimore të njohura të testuarara të suksesshme dhe për këtë nuk duhet vetëm iniciativa të njëanshme, unilaterale, pozitive dhe konstruktive por duhet të kemi edhe mbështetjen e përfituesve”.
Projektligji
Ky projektligj parashikon shpejtësinë në gjykimin e çështjeve administrative, ekzekutimin automatik të vendimit të gjykatës dhe çfarë është më e rëndësishmja shtetit konsiderohet i barabartë me individin, pa asnjë lloj avantazhi. Në fjalën e tij ministri i Drejtësisë shprehu vlerësime edhe për kontributin e ekspertëve të SIGMA-s, në hartimin e projektligjit për organizimin e drejtësisë administrative, mbi bazën e eksperiencave të suksesshme të testuara, të shteteve perëndimore. Ky takim u organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet Këshillit Konsultativ të Biznesit. Takimi synonte konsultimin e projektligjit me grupet e interesit dhe përmirësimin e mëtejshëm të tij.
Komuniteti i biznesit mbështet krijimin e Gjykatës Administrative
Komunitetit i biznesit mbështeti nismën e qeverisë Shqiptare për krijimin e Gjykatës Administrative, e cila në fillim të vitit 2009 pritet të fillojë aktivitetin. Sipas përfaqësuesve të biznesit, pjesëmarrës në takimin e zhvilluar të premten në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, projektligji i ri "për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", është një nismë e mirë në kushtet e reja të ligjeve fiskale. Drejtore e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Filloreta Luli Fabër, u shpreh se krijimi i kësaj Gjykate është i domosdoshëm dhe duhet të hyjë në linjë integrale me zbatimin e ligjit të ri të "Procedurave tatimore"..Ajo tha se kusht i domosdoshëm është pavarësia e gjykatës dhe niveli profesional i stafit të saj, që duhet të ketë eksperiencë në fushën fiskale. Ndërsa nga përfaqësuesit e biznesit u vlerësua se ngritja e kësaj gjykate në kushtet e reja të ligjeve fiskale do të sjellë gjykim të drejtë të çështjeve që kanë të bëjnë në marrëdhënien taksapagues-taksambledhës. Projektligji parashikon shpejtësinë në gjykimin e çështjeve administrative dhe ekzekutimin automatik të vendimit të gjykatës.
13 Shtator 2008