E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobësimi i euros në bursa, kreditorët shqiptarë do të paguajnë më pak në banka



Ervin Koçi

Ndryshimi i kursit ndërkombëtar të valutës ka sjellë dhe një shpresë të mirë edhe për kredimarrësit shqiptarë, që kanë marrë kredi të ndryshme në bankat private. Përfituesit e parë duket se do të jenë ata kredimarrës që kreditë e tyre i kanë marrë në monedhën e përbashkët europiane, euro. Monedha e përbashkët europiane, euro, ka prekur minimumin e saj në 5 muajt e fundit ndaj dollarit amerikan. Kështu, sipas statistikave zyrtare, euro po këmbehet me 1 dollar e gjysmë dhe parashikimet janë për një dobësim të vazhdueshëm. Analistët e bursave ndërkombëtare mendojnë se forcimi gradual i dollarit lidhet ngushtë me çmimin e naftës. Sipas tyre, ulja e mëtejshme e çmimit të naftës, ku një fuçi mund të blihet me 114 dollarë, favorizon monedhën e gjelbër kundrejt euros. Nga ana tjetër, dobësimi i monedhës europiane është një lajm i mirë edhe për kredimarrësit shqiptarë. Sipas ekspertëve bankarë, të gjithë ata që huat e tyre i kanë marrë në euro këtej e tutje do të paguajnë gjithnjë e më pak ndaj bankave.

Transparenca

Menjëherë pas ligjit të ri që synonte forcimin e masave për sigurimin e kredive që bankat private në Shqipëri jepnin, Banka e Shqipërisë kërkoi dhe më shumë transparencë për klientin. Këtë gjë BSH-ja ua vuri si detyrim bankave private në vend, të cilat përveç informimit që duhet tu bënin klientëve për përfitimet dhe detyrimet, duhet që të afishonin dhe të gjitha normat e interesit të valutave, si dhe kursin e tyre. Ky ka qenë thelbi i një rregulloreje të re që ka miratuar Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë gjatë një prej mbledhjeve të tij të fundit. Sipas burimeve të Bankës, rregulloret parashikojnë kryesisht masa të veçanta për monitorimin e rrezikut nga kredidhënia në monedhë të huaj ose të indeksuar me kurs këmbimi, e cila mund të shfaqë rrezik kryesisht në rastet kur kredimarrësit gjenerojnë të ardhura në monedhë vendase. Gjithashtu do të ketë rritje të kërkesave për shpenzime kapitali për portofolat e kredive të bankave të përcaktuar si të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Kjo masë e Bankës është në vijimësi të ndryshimeve të marra më parë nga autoriteti qendror bankar ndaj bankave të nivelit të dytë me qëllim reduktimin e rrezikut që mund t'u vijë bankave nga moskthimi i kredive.

BSH-ja vendos kushte

Bankat që operojnë në Shqipëri si degë të institucioneve financiare të huaja do të kenë një nivel të kufizuar të peshës së tyre në treg. Vendimi vjen nga ana e Bankës së Shqipërisë e cila i vendos këtyre institucioneve kufizime për shkaqe që lidhen me riskun që ato marrin përsipër. Të gjitha vendimet vijnë në kuadër të një plani të Bankës së Shqipërisë që është paralel me rritjen e kredisë së keqe dhe nivelit të kreditimit në vend. Portofoli i kredisë ka mbërritur në rreth 2.8 miliardë euro duke qenë afërsisht sa 30 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Nga ana tjetër kredia e re vazhdon që të rritet me një ritëm të shpejtë dhe masat që duhen marrë sipas BSH-së janë në funksion në uljes së risqeve financiare.
Udhëzimet e fundit kanë përfshirë në mënyrë specifike edhe kushtet për sa i përket rregullave të garancisë dhe të kolateralit. Bankat tashmë duhet të jenë më të kujdesshme edhe në këtë drejtim, pasi një pjesë e madhe e kredisë po kalon për konsum duke mos pasur një garanci të mirëfilltë. Rritja e kërkesave për shpenzime kapitali për portofolat e kredive të bankave, të përcaktuar si të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, është një nga pikat e tjera që pritet të forcojë rregullat në dhënien e kredive.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›