E Diel, 1 Nëntor 2026

Goli i vitit, Fortuzi s’u besoi syve kur e pa në TV

Nga Fatjon Kodra
Ka shënuar atë gol "alla-Maradona" në ndeshjen Larisa-Iraklis më shumë se një muaj më parë, duke i dhënë një fitore mjaft të vyer skuadrës së tij. Mirëpo, kur e ka parë në TV pasi është kthyer në shtëpi, Indrit Fortuzi është habitur me golin e shënuar: "Nuk ma merrte mendja se kisha bërë një gol kaq të bukur", - thotë sulmuesi. Pasi ka kaluar disa ditë në Shqipëri, "Zogu" është kthyer në Selanik për të vazhduar përgatitjet me skuadrën greke. I kontaktuar nga "Panorama Sport", sulmuesi tiranas ka rrëfyer gjithcka rreth golit, gjendjen që po kalon dhe merkaton.
Indrit, sapo keni kaluar disa ditë në Shqipëri. Mund ta dimë se cilat ishin arsyet e vizitës?
Qëndrova rreth katër ditë në Tiranë pranë familjes sime. Isha i lirë nga impenjimet me skuadrën dhe vendosa të kthehem në qytetin tim të lindjes. U cmalla me miqtë dhe shoqërinë, vetëm kaq asgjë më shumë. Tani që po flasim sapo kam arritur në Athinë, nëse fillojmë përgatitjet pasi më datë 7 janar kemi ndeshje për kampionat. Nuk kam pasur asnjë qëllim tjetër në këtë vizitë dhe të them të drejtën nuk kam takuar asnjë drejtues klubesh që të mendohet se mund të kem pasur bisedime.
Keni pasur kontakte me miq tuaj te Tirana?
Po, kur erdha në Tiranë shkova për vizitë te klubi i Tiranës. Aty gjeta skuadrën duke u stërvitur dhe takova disa prej lojtarëve me të cilët jemi miq të mirë. Nuk u takova me asnjë nga drejtuesit, pasi nuk kisha mundësi.
Është përfolur shumë për ju në merkato. A mund të na tregoni për planet e së ardhmes tuaj?
Nuk kam dëshirë të lëviz dhe nuk kam plane të them të drejtën. Mesa shoh këtu te Iraklisi, disa gjëra po rregullohen, kështu që mendoj se nuk do të ishte mirë sikur të lëvizja. Të jem i sinqertë kam pasur oferta sidomos nga Greqia. Më kanë kërkuar ekipe nga kategoria e parë dhe e dytë, por pasi i kam shqyrtuar me kujdes të gjitha kam vendosur të qëndrojë në Selanik.
Mund të themi se keni pasur joshje nga kampionati shqiptar?
Tashmë, dihet për tratativat që unë kam pasur me skuadrat shqiptare, por të paktën edhe për gjashtë muajt e ardhshëm nuk kam ndërmend të bëj asnjë lëvizje. Këtë ua kam bërë të ditur edhe skuadrave që janë interesuar për mua, duke mbyllur përfundimisht tratativat. Pasi të ketë përfunduar kontrata që kam me Iraklisin, atëherë do t'i shqyrtoj të gjitha mundësitë.
Të kalojmë pak te goli yt i famshëm që shënoi rilindjen tënde. Mund të na përshkruani atë aksion dhe si e përjetuat?
Në momentin që kam shënuar golin kam qenë në delir dhe nuk mbaja mend asgjë. Goli më kaloi në ekstazë dhe nuk e mbaja mend mirë si shkova deri në zonë. Kur jam kthyer në shtëpi dhe e kam parë golin në televizion nuk i kam besuar syve, më pëlqeu jashtë mase. Të them të drejtën nuk e dija që kisha shënuar një gola aq të bukur. Madje, e kanë shpallur goli më i bukur i vitit për skuadrën e Iraklisit. Erdhi në një moment kyc për mua.
Cfarë menduat kur hytë në fushën e lojës?
Kisha shumë pa luajtur dhe po me jepej një mundësi e artë nga trajneri i ri i skuadrës. Iraklisi gjendej në një pozicion të vështirë dhe kishte shumë nevojë për pikë. Në ato moment i thashë vetes: Indrit ky është momenti yt. Hyra me shumë besim për të bërë dicka për skuadrën. Pastaj ishte revanshi im, pasi të gjithë mendonin se unë kisha mbaruar dhe se nuk mund të bëhesha më sic isha pas atij dëmtimi. Mu dha mundësia t'i tregoja të gjithë njerëzve se cfarë mund të bëja dhe ia arrita qëllimit. Ndoshta ishte shansi im i fundit.
Pasi morët topin, kishit mundësi të pasonit, por nuk e bëtë një gjë të tillë. Kishit ndonjë parandjenjë se do të shënonit?
Ishin sekondat e fundit dhe kuptohet që nuk kishte më kohë. Është e vërtetë që kisha mundësi të pasoja, po në ato momente pata shumë besim te vetja dhe gjithcka ndodhi në pak sekonda. Desha të pasoj, por pashë që dy mbrojtës e humbën ekuilibrin dhe vendosa të mbaj topin, i shkova deri në fund dhe nuk e humba qetësinë. Më pas më doli për mirë. Për më tepër që goli i dha mundësi skuadrës të merrte fitoren e parë në kampionat. Pas suksesit me Larisën, Iraklisi mori edhe pesë fitore të tjera në kampionat dhe goli im shënoi pikën e kthesë për skuadrën. Më vjen shumë mirë për këtë, pasi tani jam i lidhur shumë me këtë klub.
Po tifozët e skuadrës, si iu trajtojnë pas atij goli historik?
Në fakt, kjo ishte një pjesë e rëndësishme. E vë re tani se tifozët kanë shumë më shumë besim tek unë. Sa herë që bëhem gati të hyj në stadium nisin brohoritjet dhe thërrasin emrin tim, duke më bërë të ndihem shumë mirë. Ata e kanë vlerësuar shumë faktin se unë shënova pikën e kthesën së Iraklisit dhe për këtë më kanë përgëzuar pa masë. Tani kanë më shumë respekt dhe kërkojnë që unë të aktivizohem gjithmonë. Më kanë bërë të ndihem më shumë pjesë e skuadrës.
Nuk keni luajtur rregullisht në takimet pasardhëse. Përse?
S'kam luajtur për shkak se kam pasur probleme të vogla fizike. Është normale që pas një mungese kaq të gjatë të kesh shqetësime, pasi nuk kam shumë minuta lojë në këmbë dhe kjo ka efektet e veta. Nuk jam në 100% të formës dhe shpresoj që gjatë kësaj periudhe të mos kem më probleme dhe të jem plotësisht i gatshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›