E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goli, një ëndërr për Xhemajlin

Blerim Xhemajli po e shijon një ëndërr. Mesfushori shqiptar e realizoi golin e parë në fanellën e Napolit, në fitoren 4:2 ndaj Lecces. 25-vjeçari shpreson që ky gol të mos jetë i fundit dhe të vazhdojë me këtë ritëm. Përfaqësuesi zviceran po mendon qysh tash për ndeshjen e Ligës së Kampionëve me Villarrealin, por jo edhe për Scudetto.

Blerim Xhemajli më në fund e ka thyer akullin. Mesfushori shqiptar e shënoi golin e parë në fanellën e Napolit në duel me Leccen. Përfaqësuesi zviceran po e shijon këtë gol dhe paraqitjen që e shfaqi, në fitoren 4:2. Ai shpreson që të vazhdojë me ritëm të njëjtë, për t’ua rrëmbyer zemrat tifozëve të klubit.

“Sot shkoi gjithçka mirë, shpresoj të vazhdoj kështu. Natyrisht, kjo paraqitje sjell shumë gëzime. Të shënosh këtu është një ëndërr, shpresoj të mos jetë i fundit ky gol. Në ndeshjet e kaluara nuk shkuan gjërat ashtu siç dëshiroja. Nëse vazhdoj kështu, do të arrijnë shumë gjëra të mira në vazhdim të sezonit. Golin ia dedikoj të fejuarës”, deklaroi Xhemajli pas ndeshjes për Sky.

Ish-futbollisti i Boltonit, Torinos dhe Parmës thotë se e priti rastin dhe më në fund e shfrytëzoi. “Napoli është një qytet i nxehtë dhe duhet të presësh. Unë nuk isha i kënaqur me vetveten, dhe kur dikush luan dobët, është normale që të vërshëllejnë. Unë jam këtu i ri dhe më duhet të përshtatem më mirë. Shpresoj që në të ardhmen gjërat të shkojnë sikur sonte”, vazhdoi ai.

Nga e diela, Napoli ka filluar të mendojë për ndeshjen e radhës, atë ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve. Ky takim edhe do të jetë vendimtar, nëse ekipi napolitan do të kualifikohet në të tetën e finales apo jo.

Pastaj, vijon Xhemajli, Napoli duhet të mendojë për Novarën, Romën dhe Genoan. Sipas tij, ky ekip duhet të mendojë ndeshje pas ndeshjeje, për të kapur sa më shumë pikë që të jetë e mundshme, duke mos e përqendruar vëmendjen te Scudettoja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›