E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodra: Gjithçka mund të ndodhë në Gjirokastër

Nga Kristi Lilo

Ndeshja e sotme me Luftëtarin është tepër e vështirë për të besuarit e trajnerit Qirjako, i cili është munduar ta karikojë ekipin për të bërë më të mirën. Kuptohet që gjirokastritët do të kërkojnë me çdo kusht fitoren, për të mos e lëshuar kreun, ndërsa Gramozi do të luftojë për të bërë autokritikën pas humbjes në shtëpi me Besëlidhjen. Mbrojtësi Adriatik Kodra thotë për Sportin shqiptar se Gramozi do të përpiqet me të gjitha forcat për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje.

Jemi përgatitur intensivisht për këtë sfidë. Duhet të futemi në fushë me mendimin se jemi të barabartë me kundërshtarin, pavarësisht vendit dhe emrit që mban Luftëtari. Gramozi, nisur nga rrethanat që janë krijuar së fundi, ku dënimet nuk po i ndahen, duhet të mendojë për qëndrimin në kategorinë e parë. Në çdo ndeshje duhet të luftojmë për pikë.

Futbolli njeh 3 rezultate dhe me Luftëtarin gjithçka mund të ndodhë, shprehet mbrojtësi Kodra. Kolonjarët kanë treguar një formë të mirë sportive gjatë javës stërvitore dhe në Gjirokastër pritet të luajë një ndeshje me nivel, pavarësisht rezultatit. Formacioni i kolonjarëve mendohet të jetë ky: Dervishi, Kodra,Lamaj, Peçi,Fasko, Bilibashi, Omeraj, Shupe, Musabelliu, Nelaj dhe Hysolli.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›