Kujdes nga Italia

Selektori i Spanjës, Vicente del Bosque nuk ka dyshime se skuadra e tij do të testohet seriozisht nga Italia në Euro 2012. Spanja, kampione në fuqi, të premten mbrëma u tërhoq në Grupin C së bashku edhe me Republikën e Irlandës dhe Kroacisë por janë italianët që e brengosin më së tepërmi Del Bosquen, sidomos pas humbjes 2-1 nga Azzurrët në miqësoren e muajit gusht.
“Italia sapo na ka mposhtur dhe janë kundërshtar i fuqishëm”, tha Del Bosque për Cuatro Television. Megjithatë, trajneri veteran pranon se përgjithësisht është i kënaqur me shortin e garës së vitit të ardhshëm në Poloni dhe Ukrainë.
“Do të jetë vështirë, Kampionati evropian ka 16 skuadra të forta dhe secila paraqet rrezik në vete. Duhet të përballemi me një ekip të rinovuar si Italia, dhe dy skuadra të tjera që janë kualifikuar nëpërmjet barazhit. Do të përgatitemi me kujdes, duhet të jemi të përqendruar në lojën time dhe të jemi gati”, përfundoi ai.
Italia dhe Spanja takohen në duelin e parë të Grupit C më 10 qershor, në Gdansk. Edhe homologu i Del Bosques, selektori i Italisë, Cesare Prandelli ka pranuar se skuadra e tij ka detyrë të vështirë të kualifikohet nga Grupi C.
“Është grup shumë i vështirë. Për shumë arsye nuk deshëm të takohemi me Irlandën e Trapattonit. Plus, do të ndeshemi me kampionin e botës. Duhet të jemi mirë të përgatitur në qershor 2012 sepse do të jetë një garë shumë e vështirë për ne”, tha Prandelli për Rai.
“Nuk e di se kush do të jetë kundërshtar më i vështirë mes Kroacisë dhe Irlandës, do të varet nga gjendja fizike. E di se Trapattoni do të mundohet të nxjerr rezultatet më të mira deri në fund. Ai më ka thënë se deshi të dërgojë Irlandën për stërvitje ne Itali para garës, por e di se do ti ndryshojë planet. Ne do të mbetemi në Krakow”, theksoi ish-trajneri i Fiorentinës.
Selektori i Kroacisë, Slaven Bilic ka befasuar me deklaratat e tij duke thënë se është i privilegjuar të ketë rival të tillë në grup.
“Ndoshta dikush do të mendojë se jam i çmendur por jam i kënaqur. Është privilegj të luajmë kundër kampionit aktual të Evropës dhe botës Spanjës, si dhe ish kampionit të botës Italisë. Grupi mund të ishte më i lehtë por jam i kënaqur, kemi gjasa”, tha Bilic.
Përzgjedhësi i Republikës së Irlandës, Giovanni Trapattoni ka pranuar se deshi t’i shmangej Italisë. “Desha t’i shmangemi Italisë sepse janë të fortë mentalisht dhe njihemi shumë mirë mes vete. Por, e kemi ditur se do të përballemi me kundërshtarë të fortë dhe duhet të përgatitemi mirë”, deklaroi ai.