E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gomonia me drogë, arratiset skafisti grek

 

Trazhgim Sokolaj

Drejtuesi grek i skafit të kapur me 300 kilogramë marijuanë në brigjet e Sarandës, arrin t’i shpëtojë arrestimit nga policia shqiptare, duke u arratisur me not. Ngjarja ndodhi pas mesnatës së premte, duke u gdhirë e shtunë kur policia kufitare e Sarandës ka në gjurmët e mjetit lundrues dhe bëri më pas bllokimin e tij. Policia arriti të bllokojë mjetin lundrues 5 metra të gjatë, sasinë e lëndës narkotike që ishte imbarkuar si dhe skafistin shqiptar, Ervis Preja, 25 vjeç. Në momentin e ndërhyrjes së policisë, në skaf ndodheshin dy persona. Bashkë me skafistin shqiptar ndodhej edhe drejtuesi grek i skafit, i cili në momentin e ndërhyrjes së policisë është hedhur në det dhe më pas ka arritur të largohet me not, duke i shpëtuar arrestimit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, ndërsa hetimi i çështjes është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Kjo e fundit mësohet se ka firmosur edhe pesë urdhër-arreste për persona të implikuar në këtë çështje, kryesisht me grumbullimin e drogës dhe transportimin e saj për në Sarandë. Hetimi 3-ditor i Krimeve të Rënda ka arritur të zbulojë detajet kryesore të tentativës së rikthimit të trafikut me skafe nga kufiri detar i Shqipërisë.
Skafi nga Greqia
Mjeti lundrues i kapur me drogë në brigjet e Sarandës, ka mbërritur nga Greqia. Hetimet tregojnë se skafisti grek e drejtoi gomonen në brigjet e Sarandës, pasi u kontaktua nga trafikantët shqiptarë, që konfirmuan se ishin gati për ngarkesën e drogës. Lënda narkotike ishte mbledhur në Lazarat dhe më pas ishte dërguar në Gjirokastër. E ndarë në 12 çanta sportive, marijuana ishte transportuar nga Gjirokastra në Sarandë me furgonat e linjës. Marijuana ka mbërritur në Sarandë rreth mbrëmjes së premte. Pas kësaj, trafikantët shqiptarë kanë sinjalizuar bashkëpunëtorët grekë ndërsa rreth mesnatës, skafi që do bënte transportimin e drogës, është shfaqur në det, duke u afruar në brigjet shqiptare. Mjeti lundrues mësohet se është nisur nga Greqia dhe pasi të merrte drogën do rikthehej përsëri në brigjet helene. Policia shqiptare ishte sinjalizuar ndërkohë që trafikantët po imbarkonin në skaf sasinë prej 300 kilogramë marijuanë.
Ndërhyrja e policisë
Forcat e Policisë Kufitare kanë realizuar ndërhyrjen e tyre kur skafi i ndaluar në distancë 2 kilometër nga Butrinti ende nuk kishte ndezur motorët në nisje. Policia ka bllokuar zonën dhe më pas ka bërë kontroll në mjetin lundrues duke sekuestruar drogën. Gjatë kësaj kohe efektivat pjesëmarrës në aksion kanë prangosur 25-vjeçarin nga Saranda Ervis Preja. Brenda pak orëve ai është transportuar drejt Tiranës dhe më vonë është marrë në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Deklarimet e dhëna nga skafisti shqiptar i mjetit të bllokuar tregojnë se destinacioni i drogës ishte pikërisht Greqia. Lënda narkotike pritej atje nga një grup kriminal, që do të bënte më pas shpërndarjen e saj në brendësi të territorit grek.

Skafistët morën 1 mijë euro për transportin
TIRANE – Krimet e Rënda kanë zbardhur edhe pagesën që trafikantët u ofruan skafistëve me qëllim transportimin e drogës në drejtim të Greqisë. Mësohet se skafisti shqiptar Ervis Preja kishte marrë 1 mijë euro, ndërsa drejtuesi grek i mjetit ishte paguar me një shumë më të madhe. Kjo për shkak se greku i shpallur në kërkim ishte drejtuesi i parë i skafit, kishte kontakt të drejtpërdrejtë me pritësit e drogës dhe veç kësaj ishte planifikuar të kryente dy rrugë me mjetin lundrues, ardhjen nga Greqia dhe më pas rikthimin atje. Ndërkaq, skafisti shqiptar do kryente vetëm shoqërimin e ngarkesës me drogë nga Saranda në Greqi.   

Hashashi u nis nga Lazarati me furgonat e linjës për Sarandë

TIRANE – Administrimi i deklarimeve të skafistit shqiptar që ra në pranga gjatë bllokimit të drogës, si dhe prova të tjera të mbledhura gjatë hetimeve të para, kanë ndihmuar në zbulimin e origjinës së marijuanës. Sipas burimeve zyrtare, ngarkesa me drogë, e paketuar në 12 çanta ishte marrë në Lazarat. Të paktën tre persona kanë arritur të sigurojnë në bashkëpunim mes tyre ngarkesën e drogës dhe më pas e kanë transportuar nga Lazarati në Gjirokastër. Më pas, droga është nisur për në Sarandë me furgonat e linjës. Gjatë gjithë kësaj kohe mësohet se trafikantët shqiptarë kanë mbajtur komunikim të rregullt me porositësit grekë të ngarkesës me drogë. Në këtë linjë, mbrëmjen e të premtes, trafikantët shqiptarë kanë informuar përmes telefonatave personat me qëndrim në Greqi. Këta të fundit kishin porositur drogën dhe pasi kanë mësuar se ngarkesa ishte dërguar në Sarandë, kanë nisur skafin e drejtuar nga një shtetas grek. Mjeti lundrues është afruar në zonën e caktuar nga trafikantët dhe më pas në bordin e skafit 5 metra të gjatë më ngjyrë të bardhë, është vendosur ngarkesa e marijuanës. Gjithçka kishte shkuar mirë për trafikantët deri në këtë moment. Para se motorët e skafit të ndizeshin forcat e Policisë Kufitare kanë ndërhyrë duke bllokuar skafin me drogë dhe drejtuesin shqiptar, ndërsa skafisti grek ka arritur të largohet me not në drejtim të panjohur. Ai është identifikuar dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar.                    t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›