E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurori-gjykatë, “lojë” me burgimet

 

TIRANE

Prokuroria mban padrejtësisht në burg personat e dënuar në mungesë, të cilët ndalohen nga policia dhe më pas bëjnë kërkesë për rivendosje në afat. Edhe gjykatat rezultojnë të implikuara në këtë rast, pasi bëhen pjesë e një ping-pongu të përgjegjësisë duke lënë në dorë të Prokurorisë mbajtjen në burg të qytetarëve. Konstatimi është bazuar në disa ankesa të paraqitura tek Avokati i Popullit në Tiranë. Pas këtyre ankesave, Dobjani i rekomandon Ministrit të Drejtësisë disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që te ligji të mos ketë vend për interpretime subjektive, që sjellin pasoja për qytetarët. Konkretisht në rekomandimin e dërguar Ministrit të Drejtësisë, thuhet se shumë persona, të cilët janë dënuar në mungesë, në momentin që kapen nga policia, kërkojnë rivendosjen në afat. “Në disa raste dhe kur vendimi është vënë në ekzekutim nga organi i prokurorisë, ka ndodhur që megjithëse gjykata ka pranuar kërkesën e të dënuarve për të rivendosur në afat të drejtën e ankimit ndaj vendimit të dënimit të tyre në mungesë, dhe megjithëse të burgosurit kanë bërë edhe ankimin në gjykatën më të lartë kundër themelit të çështjes, ata mbahen në burg dhe nuk urdhërohet lirimi i tyre nga gjykata apo prokuroria. Ky fenomen ndodh në rastet kur ndaj këtyre personave nuk janë vendosur masa sigurimi arrest në burg nga gjykata, gjatë hetimit paraprak të çështjes së tyre”, thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Nëse një gjykatë ka dënuar një qytetar pa praninë e tij dhe nëse si ndalohet, ligji i jep të drejtë të kërkojë rivendosjen në afat. Kjo do të thotë se i dënuari të ketë mundësinë e ankimimit, të cilën nuk ka mundur ta ushtrojë për shkak se nuk ka qenë i pranishëm në procesin ku është dënuar. Bashkë me kërkesën për rivendosje në afat, të dënuarit kërkojnë edhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit, çka në shumë raste është pranuar nga Gjykata. Kjo do të thotë se i dënuari nuk mbahet në burg derisa procesi i hapur pas rivendosjes në afat të përfundojë. Megjithatë edhe pse gjykatat kanë pranuar kërkesat, jo gjithmonë ndodh kështu. Gjykatat nga ana e tyre thonë se pezullimi i ekzekutimit të vendimeve është kompetencë e Prokurorisë, ndërsa kjo e fundit justifikohet me faktin se Kodi i Procedurës Penale nuk ka dispozita të qarta për këtë rast. Nisur nga ky fakt, Avokati i Popullit kërkon ndryshime në nenet përkatëse 147 dhe 417 të Kodit të Procedurës Penale. Ndryshimet në ligj, të propozuara nga Dobjani, kërkojnë që të parashikohet që në rast rivendosje në afat, personi të mos mbahet në qeli, derisa të përfundojë rishqyrtimi i vendimit të dënimit ndaj tij.    tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›