E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen makinat tek ura e Lanës, dy të plagosur

 

TIRANE - Mëngjesi i të dielës për Tiranën ka nisur me një aksident automobilistik, i cili ndodhi në urën e madhe të Lanës, në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, vetëm disa metra larg qendrës. Dy makina luksoze janë përplasur kokë më kokë, duke shkaktuar dy të plagosur rëndë dhe paralizim të trafikut. Si rezultat i shpejtësisë së madhe dhe i mos zbatimit të sinjalistikës rrugore, që në këtë rast ka qenë semafori qendror në urë, ka bërë që njëra nga makinat të rrotullohet disa herë dhe të përmbyset. Përplasja e fortë u ka shkaktuar plagë të rënda dy drejtuesve të automjeteve, njëra fuoristradë tip “KIA” dhe tjetra tip “Benz”. Përplasja e fuoristradës me targa të Tiranës me “Mercedes”-in me targa të Beratit, është parë nga disa punonjës të Policisë Rrugore dhe të Patrullës së Përgjithshme, të cilët kanë qenë në vendngjarje duke patrulluar. Burime nga policia thanë se përplasja ka qenë tepër e forte dhe përveç plagëve të drejtuesve ka shkaktuar edhe dëme të shumta materiale. Forcat e policisë kanë transportuar me urgjencë drejtuesit e mjeteve në Spitalin ushtarak, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia bëri të ditur se ekspertët e hetimit të aksidenteve nisën punën për të zbardhur rrethanat e përplasjes. Sipas të dhënave të para të hetimit rezulton se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara, me të cilën po udhëtonin mjetet duke mos u dhënë kohë drejtuesve të shmangnin përplasjen. Në bazë të skemës së ngjarjes të ndërtuar nga ekspertët e policisë, rezulton se njëra makinë ka qenë duke lëvizur me shpejtësi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe tjetra ka qenë duke u kthyer nga unaza për në bulevard, gjithashtu me shpejtësi tej normave të lejuara. Mjeti që ka lëvizur përgjatë bulevardin nuk ka respektuar semaforin, duke bërë që të ndodhte aksidenti. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›