E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët e Rinasit: Shkojmë në Krujë, s‘na paguajnë rrugën

 

Etleva Delia

Policët e Komisariatit të Rinasit së shpejti do t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar paratë e orëve të vështirësisë, të cilat nuk i kanë marrë asnjëherë. Duke qenë se Rinasi futet në territorin e Fushë-Krujës, por në fakt varësia e komisariatit është nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, është e legjitimuar që punonjësit e policisë duhet të paguhen me 50 mijë lekë të vjetra mbi pagën bazë, çdo muaj. Por sipas disa policëve të këtij komisariati, kjo shumë parash nuk u është dhënë asnjëherë, edhe pas ankesave dhe kërkesave të herë pas hershme, që ata kanë bërë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por edhe në të Përgjithshme. Por pasi nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje për të drejtën e tyre, ata kanë vendosur që së shpejti këtë problem ta shtrojnë në Sindikatën e Policisë dhe më pas do t’i drejtohen edhe Gjykatës së Tiranës. Në Komisariatin e Policisë së Rinasit, aktualisht janë të punësuar 126 punonjës policie, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në kryeqytet, por që çdo ditë u duhet të bëjnë disa kilometra për të kryer detyrën, njësoj sikur të ishte territori i Tiranës, me të njëjtat kushte dhe vështirësi punë, pa marrë parasysh faktin, që Rinasi i përket Fushë-Krujës. Ndërkohë 2 muaj më parë katër punonjës të këtij komisariati kanë paditur në Gjykatën e Tiranës për këtë çështje, Komisariatin e Rinasit, Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
PAKENAQESITE
Ankesat e disa punonjësve të Komisariatit të Policisë së Rinasit konsistojnë sipas tyre në shkeljen e Ligjit të Policisë së Shtetit. Ata pretendojnë se u takon të marrin edhe 50 mijë lekë të vjetra mbi pagë, për vështirësi pune, duke e argumentuar me faktin se pavarësisht se ata varen nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, Rinasi shtrihet në territorin e Fushë-Krujës dhe për këtë arsye është e legjitimuar që duhet të paguhen më shumë. Sipas disa punonjësve të këtij komisariati nuk është respektuar neni 88 i Ligjit për Policinë e Shtetit, kryesisht pika 3 e këtij neni. Sipas ligjit paga mujore e një punonjësi të Policisë së Shtetit përbëhet nga paga bazë, që është paga për gradë dhe nga shtesat mbi pagën bazë (në përqindje ose në shumë absolute) për kushte të tjera të veçanta të vendit të punës e të shërbimit, përfshirë profesionin, kualifikimin dhe kohën e qëndrimit në gradë për kompensim të privacioneve dhe humbjeve që i krijohen punonjësit të policisë, për shkak të nevojave të punës e të shërbimit. Në këtë rast dhjetëra punonjës të Rinasit pretendojnë se kjo pikë e ligjit të policisë nuk është respektuar asnjëherë, edhe pse ata janë ankuar disa herë.
ANKESAT
Duke qenë se disa javë më parë u nënshkrua kontrata e punës mes Sindikatës së Policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, policët që kanë ankesa të formës që mund të regjistrojnë një padi në gjykatë, fillimisht duhet t’i drejtohen Sindikatës. Kjo formë është e përcaktuar në kontratë, ku thuhet se fillimisht punonjësit e policisë duhet të diskutojnë kryesisht problemet, që kanë të bëjnë me vonesat e orëve të natës dhe vështirësisë në punë. Më pas, është Sindikata ajo që vendos, pas përgjigjes që merr nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nëse çështja duhet çuar në gjykatë apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›