Zgjedhjet në PD, letërkëmbimi Mustafaj-Bode
Mustafaj i kërkon Bodes procedurat për zgjedhjen e kryetarit. Bode: “I ke tek udhëzimi dhe statuti i PD-së”
TIRANË- “Besnik Mustafaj është një kandidat si gjithë të tjerët në garën për kreun e PD-së së Tiranës”. Kjo është përgjigja e parë zyrtare për kandidimin e ish-ministrit të Jashtëm, që vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode. Deklarata e Bodes vjen pas letrës që Mustafaj i ka nisur atij, lidhur me zgjedhjet për degën e kryeqytetit. "Janë disa kërkesa që kanë ardhur në rrugë të ndryshme. Dikush me letër, dikush me kontakte, që kanë shprehur dëshirën për të kandiduar. Unë u kam dhënë të gjithëve të njëjtën përgjigje, që do të zbatojnë të gjitha procedurat, që janë në përputhje me statutin dhe me këtë udhëzim”,- tha dje Bode. Madje, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së ka qenë i hidhur në përgjigjen e tij, teksa pa përmendur emra, por duke iu referuar Mustafajt, ka deklaruar se askush nuk mund të kërkojë përgjigje specifike. “Askush nuk mund të kërkojë ndonjë status specifik, apo të kërkojë ndonjë përgjigje specifike, veç atyre që ka dhënë statuti dhe udhëzimi i Partisë Demokratike",- tha Bode.
Mustafaj
Zanafilla e letrës së kandidatit për PD-në e Tiranës, Besnik Mustafaj, lidhet me mbledhjen e fundit të kryesisë, ku për zgjedhjet në parti, anëtarët e kryesisë miratuan edhe një udhëzim të posaçëm. “Herën e fundit u mblodh një kryesi, e cila nuk bëri as detyrimin minimal që ka për ta bërë. Nuk doli me një dokument të shkruar në formë konkluzionesh, të cilat pastaj do t’u kalojnë strukturave të tjera të partisë, siç e kërkon statuti. U fol për ndryshime statuti dhe vetëm dëgjuam Sekretarin e Përgjithshëm, për herë të parë pas tre vitesh, zotin Bode. E dëgjuam për herë të parë të flasë në emër të partisë, e palejueshme, një dembel i paparë në raport me partinë, i cili nuk mori as mundimin që të sistemonte debatet që janë bërë”,- u shpreh Mustafaj pak kohë më parë. Duke qenë kandidat për PD-në e Tiranës, deputeti demokrat duket se e ka përcjellë këtë shqetësim edhe në rrugë zyrtare. Por dje, Mustafaj është treguar tepër i rezervuar për mediat, mbi përmbajtjen konkrete të letrës, duke bërë publik vetëm faktin se për zgjedhjet në parti, ai i kishte parashtruar Bodes disa kërkesa. “I kam bërë një letër Sekretarit të Përgjithshëm, ku i parashtroj disa kërkesa. Është një letër normale e brendshme dhe s’kam ndërmend ta citoj”,- tha prerazi Mustafaj.
Statuti & Udhëzimi
Pak kohë më parë, kryesia e PD-së miratoi një udhëzim, ku përcaktoheshin kriteret specifike që duhet të plotësonin kandidatët për kryetarë të degëve dhe nëndegëve të PD-së. Sipas udhëzimit, të gjithë ata që do të kandidojnë për kryetar të degëve të PD-së, duhet të kenë përvojë politike si anëtarë të kësaj partie, të kenë aftësi të veçanta intelektuale dhe të kenë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së. Ndërsa në nenin 27 të statutit të PD-së, në kapitullin “Kryetari”, thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. “Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat”,- thuhet në nenin 27 të statutit.