E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Zgjedhjet për kryetarin nuk kanë nisur ende

Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, flet për zgjedhjet në parti

TIRANË- Zyrtarisht, për Partinë Demokratike, zgjedhjet për kryetarët e degëve kryesore në vend, nuk kanë nisur ende. Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, i referohet pikërisht degës së kryeqytetit, teksa shprehet se, aktualisht po zhvillohen zgjedhjet nëpër seksione dhe vetëm pas këtij procesi, mund të flitet për kandidatura zyrtare. “Zgjedhjet për kryetarin ende nuk kanë nisur. Që ta dini, sipas statutit të Partisë Demokratike, në fillim bëhen zgjedhjet për seksionet dhe më pas ato për kryetar të degës, pra vetëm pasi të përfundojnë zgjedhjet në seksione, ne mund të flasim për kandidatura zyrtare”,- tha dje Patozi, duke theksuar se gara nuk mund të fillojë pa përfunduar zgjedhjet në strukturat bazë të partisë. Duke mbetur tek zgjedhjet në parti, kryetari i deputetëve demokratë ka folur edhe për procesin e shkrirjes së reformatorëve me demokratët. Astrit Patozi ka deklaruar dje se gjatë procedurave për regjistrimin e anëtarësisë së PD-së, po regjistrohen edhe reformatorët, të cilët, sipas tij, kanë të njëjtat të drejta si dhe anëtarët e PD-së. Sipas Patozit, ky proces do të përfundojë atëherë kur do të mbarojnë zgjedhjet në PD, rreth fundit të pranverës së 2009-s. Në bazë të marrëveshjes së firmosur pak kohë më parë mes PDR-së dhe PD-së, anëtarësisë së dy partive u njihet automatikisht vjetërsia e jetës së mëparshme në formacionet politike respektive. Në funksion të bashkimit, degët në të gjitha rrethet, do të nisin menjëherë shkrirjen e tyre, proces i cili shkon paralelisht me zgjedhjet e reja në parti. Ashtu siç u shpreh edhe Patozi, procesi i bashkimit në të gjitha nivelet do të quhet i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti, të cilat parashikohet që të kryhen brenda tremujorit të vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›