E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit në Gjykatë, qeveria dhe Kuvendi i injorojnë

Qeveria dhe Kuvendi nuk u paraqitën dje në Gjykatën Kushtetuese për kërkesën e ish-të përndjekurve, lidhur me shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit, “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist”.

TIRANË- Ish-të përndjekurit politikë braktisen në të gjitha kuptimet nga mazhoranca e djathtë. Përveç trajtimit financiar që lë shumë për të dëshiruar, qeveria dhe Kuvendi kanë “injoruar” dje këtë kategori, duke mos u paraqitur as në gjyqin që ata kanë hapur në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit, “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist”.

Seanca

Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, Gjykata Kushtetuese ka hapur dje gjyqin për shqyrtimin e kërkesës së Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Shoqatës së Dëbimeve dhe Internimeve Politike, për rrëzimin e disa neneve të ligjit të miratuar gati një vit më parë, për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë. Por, seanca ka zgjatur fare pak, pasi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, është detyruar ta shtyjë atë për një ditë tjetër, me argumentin se në seancë nuk ishin përfaqësuesit ligjorë të qeverisë dhe Kuvendit, si dy palët e interesuara direkt për zbatimin e këtij ligji, që është objekt shqyrtimi. Kështu, Kristo ka bërë me dije palën kërkuese, e cila kishte mbushur të gjithë sallën ku zhvillohej gjyqi, se seanca nuk mund të vazhdonte, për shkak se njëra palë, pra qeveria, nuk ishte paraqitur fare, ndërsa Kuvendi kishte kërkuar shtyrjen e saj. Por, përpara se të merrte vendimin për shtyrjen e gjyqit, kreu i kësaj gjykate, Vladimir Kristo ka kërkuar dhe mendimin e palës paditëse, pra të shoqatave që kanë ankimuar ligjin, nëse duhej ta shtynte këtë mbledhje apo jo, të cilët nga ana e tyre e kanë vlerësuar të panevojshme praninë e qeverisë dhe të Kuvendit. “Ne si shoqatë kemi paraqitur një kërkesë dhe debatet me palët që ju përmendët i kemi konsumuar në Kuvend. Kështu që ne s’kemi pse presim ata, pasi e dimë qëndrimin e tyre, përderisa nuk i kanë marrë parasysh propozimet tona”, - tha kryetari i Shoqatës së Dëbimeve dhe Internimeve Politike, Abduraman Çekiçi. Por, pavarësisht këtij qëndrimi, kreu i Gjykatës, Kristo, është detyruar ta ndërpresë seancën, duke u shprehur se “Gjykata Kushtetuese çmon se ligji ka qenë propozuar nga qeveria dhe është miratuar nga Kuvendi dhe është e nevojshme që të sigurojë praninë e Kuvendit”.

Kërkesa

Dy shoqatat e mësipërme pretendojnë se ligji i miratuar nëntorin e shkuar nuk respekton parimet e ligjit themeltar të shtetit, si dhe nuk përputhet me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe as me Rezolutën e Këshillit të Evropës për Dënimin e Krimeve Komuniste. Në relacionin që shoqëron kërkesën, shoqatat e ish-të Dënuarve Politikë, denoncojnë një sërë shkeljesh të të drejtave dhe lirive të njeriut që qeveria ka bërë nëpërmjet një sërë dispozitash kyçe që përmban ligji në fuqi. Kështu, denoncohen si antikushtetuese, kompetencat që ligji i ka dhënë komisionit qeveritar për dëmshpërblimin e viktimave të sistemit komunist. Ish-të përndjekurit vlerësojnë se ky komision i ka dhënë të drejta vetes, që në mënyrë antikushtetuese të bëjë veçimin nga e drejta për të fituar dëmshpërblim të rreth 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq, duke ua njohur këtë të drejtë vetëm 2 mijë prej tyre dhe pikërisht atyre që janë pushkatuar me gjyq brenda periudhës 30.11.1944 dhe 01.10.1990. Një tjetër pikë, të cilën ish-të dënuarit politikë e konsiderojnë antikushtetuese, është edhe ajo që përcakton masën e dëmshpërblimit të familjarëve të të pushkatuarve. Sipas ligjit aktual, masa e dëmshpërblimit për të pushkatuarit është llogaritur sa tetë vjet burg, ndërkohë që çdo ditë burg është llogaritur në masën e 2 mijë lekëve të rinj. Gjithashtu, të dënuarit politikë kërkojnë që masa e dëmshpërblimit për jetën e një të pushkatuari të jetë e barabartë me dëmshpërblimin e 25 viteve burg, si një masë dënimi e përafërt me dënimin kapital. Një tjetër shkelje që evidentohet në relacion, është edhe ajo që ka të bëjë me kufizimin e së drejtës së trashëgimisë për të dënuarit vetëm në shkallën e parë të trashëgimtarëve. Ky përcaktim evidentohet si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin penal, ku parashikohet e drejta e barazisë së shtetasve. Duke qëndruar tek çështja e masës së dëmshpërblimit, ish-të dënuarit theksojnë se përcaktimi për ta kryer këtë proces brenda tetë vjetëve është i papranueshëm, pasi është shumë i gjatë dhe shumë prej ish-të dënuarve nuk do ta gëzojnë dot atë për shkak të moshës dhe vuajtjeve nëpër burgje.

Kërkesat e ish-të përndjekurve në Gjykatën Kushtetuese

Komisioni qeveritar për dëmshpërblimin e viktimave i ka dhënë të drejta vetes që, në mënyrë antikushtetuese të bëjë veçimin nga e drejta për të fituar dëmshpërblim të rreth 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq, duke i njohur këtë të drejtë vetëm 2 mijë prej tyre

Masa e dëmshpërblimit për jetën e një të pushkatuari të jetë e barabartë me dëmshpërblimin e 25 viteve burg, si një masë dënimi e përafërt me dënimin kapital.

Kufizohet e drejta e trashëgimisë për të dënuarit vetëm në shkallën e parë të trashëgimtarëve

Përcaktimi për ta kryer këtë proces brenda tetë vjetëve është i papranueshëm, pasi është shumë i gjatë dhe shumë prej ish-të dënuarve nuk do ta gëzojnë dot atë, për shkak të moshës dhe vuajtjeve nëpër burgje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›