Kodi, sot shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve
TIRANË- Dy partitë e mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë vendosur t’i japin zgjidhje ngërçit teknik, që u konstatua nga Presidenti i Republikës në Kodin Zgjedhor. Komisioni i Ligjeve pritet të marrë sot në diskutim dekretin e Presidentit për rishqyrtimin e Ligjit Zgjedhor, për të rregulluar gjithashtu edhe afatet ligjore për përcaktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare, që priten të mbahen të dielën e fundit të qershorit të ardhshëm. Kështu, burime pranë këtij komisioni kanë bërë të ditur dje për “Shekulli”-n se komisioni ka vendosur të mos humbasë kohë, pasi kjo do të përkeqësonte edhe më shumë afatet kohore, që duhen për të shpallur datën e zgjedhjeve, dhe për këtë arsye ka parashikuar që të diskutojë gjatë ditës së sotme për amendimin e Kodit Zgjedhor. Situatës pritet t’i jepet zgjidhje nëpërmjet ndërhyrjes në Kod nëpërmjet një amendamenti shtesë, që pritet të paraqitet nga dy drejtuesit e Komisionit të Ligjeve, nga kryetari, Ilir Rusmali dhe nënkryetari, Fatmir Xhafaj, të cilëve u lind një detyrim i tillë, pasi kanë qenë dhe bashkëkryetarët e Komisionit të posaçëm parlamentar që hartoi Kodin e ri Zgjedhor. Mësohet se amendimi pritet të prekë kapitullin e fundit të këtij kodi, kapitull që ka të bëjë pikërisht me dispozitat kalimtare. Sipas këtij ndryshimi që do t’i bëhet kësaj pjese të kodit, do të shkurtohet afati nëntëmujor që i jepet kreut të shtetit, si afati minimal për të caktuar datën e zgjedhjeve në një afat me të shkurtër kohor. Koha që do t’i lihet kreut të shtetit në dispozicion, tashmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme do të jetë e tillë që të parashikojë kohën që do t’i duhet kreut të shtetit për të dekretuar kodin dhe kohën që do të duhet më pas për t’u futur në fuqi, pas publikimit në fletoren zyrtare. Ndërkohë që, përpara se Komisioni i Ligjeve të marrë sot në diskutim dekretin në fjalë, pritet që të mblidhet dhe Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare, e cila do t’i hapë rrugë dekretit për t’u diskutuar në komisione, si dhe për të caktuar datën e diskutimit të tij në seancë plenare. Ndërkohë, dje pasdite, nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, duke marrë shkas nga kthimi për rishikim i Kodit Zgjedhor, i ka nisur një letër Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku në emër të LSI-së i kërkon mirëkuptimin e saj për të shfrytëzuar këtë moment, për të realizuar përmirësimet e nevojshme në këtë ligj.