Goran Pandev tek Interi, goditja e parë për 2010
MILANO- Interi ka bërë blerjen e parë për merkaton e janarit, që është sulmuesi maqedonas i Lacios Goran Pandev. Ai ka zhvilluar të hënën në mëngjes vizitat mjekësore dhe më pas ka firmosur një kontratë deri në vitin 2014 me klubin zikaltër. Pandev do të mbajë numrin 27 dhe do të bëjë prezantimin zyrtar pas ndeshjes Kievo-Inter që luhet të mërkurën, por nëse Murinjo dëshiron, mund ta aktivizojë edhe në këtë sfidë. Të njëjtën gjë Murinjo bëri në fund të muajit gusht, kur aktivizoi Uesli Shnajder në derbin me Milanin edhe pse kishte evtëm 24 orë që holandezi kishte firmosur. Goran Pandev është lëvizja e parë e bujshme në Serinë A italiane. Ndërkohë, Lacio ka blerë menjëherë nga Xhenoa sulmuesin Serxho Flokari, i cili nuk kishte gjetur hapësirën e nevojshme me kuqeblutë. Ndërsa Juventusi është një tjetër skuadër shumë aktive në merkato, sidomos pas rezultateve zhgënjyese të arritura në pjesën e parë të sezonit. Bardhezinjtë duke u përpjekur të marrë nga Atletiko e Madridit mesfushorin Maksi Rodrigez. Për argjentinasin bardhezinjtë ofrojnë Tiagon e Molinaron, të cilët kërkoheshin prej kohësh nga klubi i kryeqytetit spanjoll. Për të ka patur edhe një interesim të Boka Xhuniors në Argjentinë, por alternativa e ofruar nga Juventusi pëlqehet shumë nga lojtari. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)