E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gorbaçov: Lufta e Perëndimit në Afganistan, e pashpresë



Stiv Rozenberg

Ish-udhëhëqësi sovjetik, Mikhail Gorbaçov e ka paralajmëruar NATO-n se fitorja ushtarake në Afganistan është e pamundur.
Gorbaçov që tërhoqi trupat sovjetike nga Afganistani para më se 20 vjetësh, në një intervistë për BBC-në u shpreh se rezultati më i mirë do të arrihej përmes ndihmës për rindërtimin e këtij vendi pas luftës. Gorbaçov e çmoi vendimin e presidentit Obama për fillimin e tërheqjes së trupave amerikane në verën e vitit të ardhshëm, por kritikoi përfshirjen amerikane në rajon para dy dekadave. Gorbaçov fillimisht iu përgjigj pyetjes nëse i justifikonte kritikat brenda Rusisë që e fajësonin atë për rënien e Bashkimit Sovjetik.
- Disa njerëz përpiqen të ma vënë mua tërë fajin për shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, por kjo nuk është e vërtetë. Unë luftova për ta shpëtuar ish-Bashkimin Sovjetik deri në fund. Unë dëshiroja një Bashkim të ri që do të adresonte nevojat tona, një bashkim demokratik me pushtet të fortë, të centralizuar. Ishte Boris Jellcin, i cili vendosi të shkatërronte Bashkimin Sovjektik, kur u bë president i Rusisë. Dhe ai punonte pas krahëve tanë për ta arritur këtë objektiv. Ne bëmë një gabim politik. Ne duhej ta kishim hequr qafe Jellcinin kur kuptuam se çfarë ishte duke bërë. Por nuk e bëmë.
- Po sot, sa i shqetësuar jeni ju për gjendjen e demokracisë në Rusinë e sotme?
- Unë jam shumë i shqetësuar. Ne jemi vetëm në mesin e rrugës nga një regjim totalitar drejt demokracisë dhe lirisë. Dhe beteja vazhdon. Ende ka shumë njerëz në shoqërinë tonë që e kanë frikë demokracinë dhe do të preferonin një regjim totalitar. Demokracia është duke hasur në probleme dhe vështirësi. Për shembull, rusët nuk kanë të drejtë të zgjedhin guvernatorët rajonal, dhe partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, e drejetuara nga Vladimir Putin, ka bërë gjithçka ka mundur për t’u larguar nga rruga e demokracisë, thjesht për të qëndruar në pushtet.
- Kush mendoni ju se është pushteti i vërtetë sot në Rusi, është presidenti Medvedev apo Vladimir Putin?
- Mendoj se ata bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin. Ata janë miq, çka i ndihmon të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Por kohët e fundit, Medvedev ka demonstruar më shumë pavarësi dhe duket se ka disa fërkime mes tyre. Kjo nuk është e mirë. Vendi do të vuajë nga kjo gjë. Të shohim se ku do të na çojë ky bashkëpunim mes tyre.
- Kalojmë tek Afganistani. Ju keni qenë udhëheqësi sovjetik që tërhoqët trupat nga Afganistani në fund të viteve 1980. Kur ju kujtohen ato kohë, a mendoni se një fitore ushtarake për Nato-n është e mundshme sot në Afganistan?
- Fitorja është e pamundur në Afganistan. Obama ka të drejtë kur thotë se do të tërheqë trupat prej andej. Pavarësisht sesa e vështirë do të jetë kjo. Përpara se ne të tërhiqnim trupat sovjetike nga Afganistani, ne e diskutuam çështjen me forca të ndryshme brenda Afganistanit, me Iranin, Indinë, Pakistanin dhe natyrisht me amerikanët. Ne shpresonim se Amerika do t’i përmbahej marrëveshjes se Afganistani duhej të ishte një vend neutral dhe demokratik, që do të kishte marrëdhënie të mira me fqinjët e vet, dhe natyrisht me SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik.
Do të jetë gjithnjë e më e vështirë për amerikanët që të dalin nga kjo situatë. Por cila është alternativa? Një Vietnam tjetër, duke dërguar gjysmë milionë trupa? Kjo nuk ka për të funksionuar.

Gjermani, ashpërsohet ligji për martesat me emigrantët

Ministrja gjermane e drejtësisë flet rregullat e integrimit të të huajve dhe martesat me detyrim
“Leja e qëndrimit të emigrantëve, pas katër viteve martesë”

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabin Leuteuser-Shnarenberger, flet për martesat me detyrim, martesat e rreme dhe integrimin e të huajve. Pyetjes se si mund të rregullohet çështja e martesave të detyrueshme, ministrja i është përgjigjur se kodi penal do të parashikojë dënimet lidhur me këto raste edhe pse nuk parashikohet se nuk do të ndryshojë neni që parashikon dënimet e deritanishme deri me pesë vjet heqje lirie. “Në kodin penal gjërat do të sqarohen deri në fund. Nuk do të ndryshojë neni që parashikon dënimet e deritanishme deri me pesë vjet heqje lirie. Me ligj saktësohet se vepra është e dënueshme, por zbatimi i ligjit as në të ardhmen nuk do të ndryshojë dhe do të përballet me vështirësitë me të cilat përballet edhe sot”, tha Leuteuser-Shnarenberger. Më tej ajo theksoi se martesat e detyrueshme edhe tani janë të dënueshme. Gjërat nuk do të ndryshojnë shumë, por ligji do të saktësojë gjërat. Është e qartë që ligji penal duhet edhe të zbatohet në realitet dhe për këtë duhet pasur njohuri paraprake. Ajo sqaron se vështirësitë me të cilat përballet policia nuk mund të ndryshojnë. Pyetjes se cilat janë përparësitë e projektligjit të ri, ministrja e drejtësisë i përgjigjet: “Në ligjin e ri penal saktësohet se martesa e detyrueshme nuk lejohet në Gjermani dhe këto janë vepra të dënueshme. Është një sqarim i plotë sepse në ligjin e ri flitet qartë për martesat e detyrueshme. Për ata që e shikojnë ligjin do të jetë menjëherë e qartë se për çfarë është fjala”. Sipas Leuteuser-Shnarenberger nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me numrin e martesave të detyrueshme në Gjermani, por dihet se fenomeni ekziston. Këto fenomene ndodhin brenda në familje dhe policia e ka ë vështirë të hetojë më shumë, në bazë të informacioneve. Ajo u shpreh se
në të ardhmen do të luftohet më ashpër edhe fenomeni i martesave të rreme tek personat me prejardhje të huaj. Pyetjes nëse bashkëshortët do të mund ta marrin lejen e qëndrimit në Gjermani pas dy se pas tre vitesh, ministrja iu përgjigj se paraprakisht është vendosur se një martesë duhet të zgjatë katër vite, para se bashkëshorti të fitojë lejen e qëndrimit në Gjermani.

Kosovë, mocioni për votëbesimin e qeverisë, javën tjetër

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, tha se mocioni me 40 nënshkrimet e deputetëve, me të cilin Qeveria thirret në votëbesim, do t’i procedohet Kryesisë së Kuvendit javën e ardhshme. Ai refuzoi kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që në tekstin e mocionit të përfshihen edhe konstatimet për dështimet e Qeverisë, që sollën deri te votëbesimi i saj, duke thënë se po të mos kishte dështime, Qeveria do të vazhdonte tutje. Pacolli tha se AKR-ja e tij nuk është parti satelite e PDK-së, por refuzoi që teksti i mocionit të ndryshojë sipas kërkesave të AAK-së. Përderisa mocioni mund t’i japë fund mandatit të institucioneve aktuale, partitë politike nuk e përjashtojnë mundësinë që të negociojnë nëse edhe në këtë gjendje në të cilën ndodhen institucionet, mund të miratohen të paktën edhe tri ligje me prioritet, para se Kuvendi të shpërndahet.

BE-ja kërkon fillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Zyrtarë të Bashkimit Europian i kanë bërë thirre Kosovës dhe Serbisë që të fillojnë sa më parë dialogun. Sipas tyre, pavarësisht zhvillimeve politike në Kosovë, duhet të ketë një vazhdimësi të proceseve të filluara, në veçanti të dialogut të paralajmëruar edhe me Rezolutën e OKB-së, të miratuar në shtator të këtij viti. Sipas tyre, këshillimet me palët për dialogun kanë vazhduar për të përcaktuar një agjendë dhe se presin fillimin e shpejtë të bisedimeve për çështjet teknike të interesit të përbashkët. Ata thanë se këshillimet po zhvillohen edhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë meqë ky shënon, siç thanë, procesin më të madh të ndërmarrë nga BE-ja. Vetë përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Ashton, ka shfaqur shpresën e saj për fillimin e shpejtë të dialogut dhe ka deklaruar se do që ato të jenë të përqendruara në çështjet teknike të interesit të përbashkët.

28 Tetor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›