E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gordon: Suksesi i Kosovës, faktor me rëndësi kritike

Uashington -Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Gordon bëri të martën një ekspoze të politikave të administratës së presidentit Barak Obama në Evropë, ku theksoi se një nga përparësitë më të rëndësishme të administratës do të vazhdojë të jetë projekti historik amerikan për të ndihmuar në përhapjen e stabilitetit, sigurisë, mirëqenies dhe demokracisë në gjithë Evropën dhe Euroazinë.

Duke folur për Kosovën, Gordon, i cili fliste para nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, tha se suksesi i Kosovës si një vend i pavarur mbetet një faktor me rëndësi kritike për stabilitetin e Ballkanit. Ai tha se vendi i ri ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në 16 muajt që kur shpalli pavarësinë dhe theksoi se kjo pavarësi është e pakthyeshme.

“Udhëheqësit e Kosovës po i përmbushin angazhimet për të ndërtuar një demokraci shumetnike, me masa mbrojtëse të gjera për serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera. Qeveria ka treguar se Kosova ka vullnetin dhe aftësitë për të luajtur një rol konstruktiv si një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar. Sigurisht që shumë punë mbetet për t’u bërë. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Kosovën ndërsa ajo dyfishon përpjekjet për të ndërtuar aftësitë qeverisëse, për të zhvilluar një ekonomi të fortë dhe krijuar ambientit e përshtatshëm për investimet, si edhe të vazhdojë me ritme energjike krijimin e një demokracie të konsoliduar dhe shumë-etnike”, ka thënë ai.

Duke folur për ndihmën amerikane, Gordon tha se buxheti për vitin 2010 për Ballkanin reflekton një ribalancim që vazhdon të ruajë fonde të konsiderueshme për Kosovën, rritje të ndihmës për konsolidimin e përparimit në Shqipëri dhe Maqedoni, për fuqizimin e reformave në Serbi dhe për t’u siguruar që Bosnja-Hercegovina i rikthehet rrugës drejt integrimit euro-atlantik.

Gordon e mori detyrën e ndihmës-sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë muajin e kaluar, duke zëvendësuar në këtë detyrë Daniel Fried. (voa/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›