Gostivar, BE bën thirrje për qetësi

Protesta në Maqedoni
Në Maqedoni, tensionimi i raporteve ndëretnike pas incidentit që u mori jetën dy të rinjve shqiptarë, ka nxitur edhe zyrën e BE-së që të bëjë thirrje për maturi e qetësi. Protestat në Gostivar dhe Shkup kanë vazhduar edhe dje, për të kërkuar dënim të merituar për policin maqedonas, Jakim Trifunovski, i cili qëlloi për vdekje me armë zjarri dy të rinj shqiptarë, 26 dhe 29 vjeç, pas një konflikti për vendin e parkimit. Përmes një njoftimi për shtyp, Zyra e Bashkimit Europian në Maqedoni, pasi bëri thirrje për maturi, ka shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e saj për vrasjen e dy të rinjve nga polici maqedonas. Qeveritë lokale dhe qendrore po kryejnë hetime dhe do të marrin masat e duhura juridike. Besojmë se faktorët politikë dhe shoqëria civile do të tregohen të përgjegjshëm në reagimin e tyre ndaj kësaj situate delikate që është krijuar, thuhet në këtë deklaratë, sipas agjencisë maqedonase të lajmeve, INA. BE ka kërkuar nga institucionet qendrore në Shkup dhe ato lokale që të mbajnë një qëndrim të fortë dhe të ndëshkojnë çdo lloj akti dhune që mund të verifikohet pas ngjarjes. Protestat kanë detyruar familjen e policit vrasës që të braktisë Gostivarin. Ndërsa 39-vjeçari Trifunovski ndodhet në paraburgim në burgun e Shutkës, pasi masa paraprake e vendosur ndaj tij nga gjykata ishte 30 ditë. Të dhëna të reja nga Policia maqedonase tregojnë se në momentin e vrasjeve në makinën e Trifunovskit ka qenë e pranishme edhe vajza e tij dhjetëvjeçare, e cila nuk ka dëshmuar. Një ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Shkup, Pol Uohlers, apeloi që procesi hetimor të pritej me qetësi. Ndërsa Aleanca Kuq e Zi bëri thirrje për ndalimin e akteve antishqiptare në Maqedoni.
Presheva kërkon ndihmë
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë kërkuar që qeveria e Beogradit të tregojë vullnet politik për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës dhe kanë shprehur shqetësimin për eksodin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga këto zona në Jug të Serbisë. Kërkohet platformë politike për kërkesat e shqiptarëve në Serbi, kundër diskriminimit të tyre, me ndihmën e Shqipërisë e Kosovës.