Liderët e BE nënshkruajnë paktin mbi ndëshkimin fiskal

Angela Merkel dhe liderë të tjerë europianë pas marrëveshjes
Ai vend që nuk ratifikon marrëveshjen e re, nuk futet në fondin e shpëtimit.
Liderët europianë kanë nënshkruar dje paktin e ri fiskal të rajonit, duke miratuar rregulla të reja strikte mbi deficitet dhe borxhet, edhe pse disa vende paralajmëruan se një ambient i ashpër ekonomik po sfidon premtimet e tyre fiskale. Marrëveshja, e cila u finalizua në janar dhe bën thirrje për sanksione mbi ato vende që nuk arrijnë objektivat e tyre, u nënshkrua nga 25 vendet anëtare. Britania e Madhe dhe Republika Çeke nuk e nënshkruan atë. Pas një samiti dyditor, i cili përfundoi dje, liderët e BE-së po ashtu u angazhuan për iniciativa rritjeje ekonomike, si thellimi i tregut të përbashkët të 27 anëtarëve dhe krijimin e një tregu të përbashkët energjie në vitin 2014. Tani ka më pak tension në lidhje me disa çështje që i përkasin euros, pra është e mundur që mendjet tona të fokusohen mbi nevojën e reformave strukturuese për rritje, tha Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso. Ndërsa Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se eurozona ka gjetur rrugën jashtë krizës. Ne po e kthejmë faqen e krizës financiare. Strategjia që zbatuam po nxjerr frytet e saj, tha ai në konferencën për shtyp pas samitit. Por, Kancelaria gjermane, Angela Merkel, tërhoqi vëmendjen kundër shpresave false se stuhia ka përfunduar. Merkel tha se duke përmbytur tregjet financiare me kapitale, Banka Qendrore Europiane ka blerë kohë të çmuar për liderët europianë, e cila nuk duhet të shpërdorohet. Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuj, u kërkoi liderëve të BE-së që të lëviznin me shpejtësi për ratifikimin e paktit fiskal në parlamentet apo referendumet përkatëse. Irlanda do të mbajë referendum për këtë çështje. Pakti u bën thirrje vendeve të BE-së që të shkruajnë në kushtetutat e tyre masa për balancimin e buxhetit dhe lejon sanksione të shpejta kundër vendeve që thyejnë rregullat fiskale. Çdo vend që dështon ratifikimin e marrëveshjes do të bllokohet nga fondi i shpëtimit të rajonit, në pranverë të 2013-s. Edhe pas nënshkrimit të rregullores së re të BE-së, Spanja dhe Holanda kanë sinjalizuar se ato nuk do ti arrijnë objektivat e buxhetit për këtë vit për shkak të masave të kursimit.
Rritet nafta
Shpërthimi i një naftësjellësi në Arabinë Saudite ka ndikuar në rritjen e menjëhershme të çmimit të naftës në nivelin më të lartë të katër viteve të fundit. Kuotimi i naftës bruto u rrit me 5.74 dollarë, duke mbërritur në 128.4 dollarë për fuçi. Zyrtarët sauditë i kanë përgënjeshtruar më pas raportet e mediave mbi zjarrin, duke ndihmuar në stabilizimin e çmimit, pasi ai arriti majat.