E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gota gjysmë plot e Kombëtares

Mund ta shohësh si të duash një gotë të mbushur përgjysmë, kjo varet nga shumë gjëra, por duke bërë një krahasim me lojën e paraqitur nga skuadra jonë përfaqësuese dhe barazimin e marrë prej saj ndaj Norvegjisë këtë të premte, ajo duhet parë si një gotë e mbushur... gjysmë plot. Ka shumë arsye për të menduar kështu, sidomos kur sheh se kjo Kombëtare renditet e dyta pas 6 ndeshjesh në grup dhe se nga ky vend, që ia bën me sy kujtdo për të shkuar në finalet e Brazilit 2014, nuk ka asgjë që ta tundë për tre muaj radhazi, deri atëherë kur të vijnë ndeshjet e tjera të radhës për t’u luajtur. Por, arsye tjetër për t’mos e parë gjysmë bosh këtë “gotë” të Kombëtares, është edhe ai vendi i 38 që kemi zënë në klasifikimin mujor të FIFA-s, paçka se kjo më tepër ngjan të jetë diçka fiktive se sa reale, kur sheh se pikërisht ky lloj “standardi” e bën futbollin tonë që të jetë vetëm 16 shkallë larg vendit që e ka fituar 5 herë titullin e kampionit të botës(!?), ndërkohë që ne ende vazhdojmë të shohim ëndrra me sy hapur për të qenë qoftë edhe një herë të vetme pjesëmarrës nëpër finalet e kësaj gare. Mund të vazhdojmë edhe më për të justifikuar idenë dhe titullin e këtij komenti, sepse gjërat janë mbi sipërfaqe dhe mund t’i shohësh e t’i prekësh lehtësisht me dorë, sidoqoftë, kur kërkon të shkosh më tej së jashtmes, për t’u bindur se lustra e shkëlqimi i tillë nuk janë vetëm për fasadë dhe sa për të kaluar radhën, atëherë, pamja që dëshiron nuk është ajo më e mira. Ndeshja e kthimit ndaj norvegjezëve i përmblidhte të gjitha, edhe ato që na pëlqejnë t’i shohim, si dhe ato që nuk duam të përsëriten, por që për fat të keq na u desh që t’i përtypnim edhe kësaj here.
Pavarësisht mungesave të rëndësishme që kishim në formacion, ku ajo e Lorik Canës duket aq e pazëvendësueshme, sa ajo e Altin Lalës dhe Ervin Skelës, të cilët i dhanë me këtë rast lamtumirën futbollit të tyre, opinioni priste shumë nga Kombëtarja dhe trajneri De Biazi, që për këtë ndeshje na kishte siguruar për një formacion pa probleme. Por edhe pse morëm një pikë dhe futbollistët tanë patën raste të tjera për të shënuar e fituar, të pranishmit, rekord për nga numri i tyre në stadium, si dhe të tjerët e panumërt që patën mundësi ta ndiqnin lojën nëpërmjet ekraneve televizive, nuk mund të thuash se mbetën plotësisht të kënaqur nga ajo çfarë u paraqit në fushën e lojës. Sepse, mundësitë ishin për të dhënë e marrë më shumë, sidomos kur përballë na u paraqit, ndryshe nga ç’pritej, një kundërshtar thuajse mediokër, pavarësisht emrit shumë më të madh e më të njohur në arenën ndërkombëtare se ky i yni. Rrethanat e sollën që topi të qarkullohej shpejt e mirë dhe po ashtu përpunimi i tij i kujdesshëm mund ta bënte më të këndshme dhe rezultative lojën, por kjo nuk ndodhi! Edhe pse më të lëvizshëm gjatë gjithë kohës, për shkak të një përgatitje më të mirë fizike, norvegjezët luajtën gati të shthurur taktikisht, sidomos në mesfushë, ku krijuan shumë zona të lira veprimi për ne, ç’ka duhej të na i lehtësonte veprimet, por edhe kjo nuk u shfrytëzua sa dhe si duhet nga ana jonë. Gjithçka paraqiti kundërshtari në këtë ndeshje mund të thuhet me plot gojën se nuk të trembte aspak, kështu që edhe ky element presioni i mundshëm ndaj nesh, duke mos qenë i pranishëm, mund të bëhej një shtysë e veprimeve më inteligjente nga ana e trajnerit De Biazi në improvizimet e tij taktike që mund të ofronte kur e kishte fitoren në dorë dhe jo të binte “viktimë” e ndërrimeve, në këtë rast jo domosdoshmërisht të detyrueshme, që sapo u bënë, sollën edhe golin në portën tonë!
Vendi i dytë në renditjen e grupit tonë eliminator për finalet e Botërorit 2014, duke qenë pas Zvicrës së lojtarëve cilësorë, ndonjë prej të cilëve si Xherdan Shaqiri tashmë është edhe një kampion Europe me Bajernin e tij, si dhe të pretendosh marrjen e një bilete për në Brazil, ndaj kundërshtarëve të tillë si Sllovenia e Norvegjia, me shumë reputacion nëpër finale të këtij lloji, si dhe ndaj vendeve të tjera me standard ekonomik më të lartë se ky i yni dhe me një futboll më profesionist e më të paguar si Islanda, vetëm një pikë poshtë nesh, por edhe të një vendi po aq të zhvilluar si Qipro, gjithsesi, kjo është mjaft inkurajuese e frymëzuese, tani për tani, për një vend si i yni. Por ka edhe diçka tjetër që duhet të na bëjë ta shohim gjysmë plot “gotën” e Kombëtares sonë, ajo që disa prej lojtarëve të saj na e shfaqin me paraqitjen e mirë në fushën e lojës, por që për t’u bërë më e besueshme kërkon një status të tyre më të sigurtë në formacion prej trajnerit De Biazi...      
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›