E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa azil rrezikohen jetë njerëzish

I nderuar Shkëlqesi!
Po ju shkruaj nga Shqipëria, që po bën përpjekje për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Europian, por që fatkeqësisht, në mungesë të drejtësisë dhe të institucioneve efikase të shtetit ligjor, po përballet me vetëgjyqësinë (gjakmarrjen), një fenomen i rëndë që ka vënë në rrezik jetën e shumë qytetarëve.
Shqipëria sot është vendi i vetëm në Europë ku aplikohet të bërit drejtësi nëpërmjet vetëgjyqësisë, (gjakmarrjes). Ka njerëz që vriten për të paguar krimin që ka bërë vëllai apo një i afërm i tij, qoftë edhe shumë vite më parë. Ne jemi i vetmi vend ku ka njerëz dhe familje që ngujohen (mbyllen në shtëpi), si masë sigurie për jetën e tyre të kërcënuar nga vrasësi.
Ky atavizëm mesjetar, krejtësisht barbar dhe i pabazuar as në Kanunin e lashtë shqiptar, përbën formën më brutale të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Për shkak të kësaj situate, mediat ndërkombëtare e identifikojnë këtë vend si një vend muze i mesjetës, duke lënë në hije shumë aspekte të tjera të jetës me virtytet e shqiptarëve si mikpritja, bujaria, besa, toleranca etnike e fetare, dashuria dhe respekti për kombet e kulturat e tjera.
Në 22 vite të tranzicionit, me ndihmën edhe të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri është bërë punë e mirë në procesin tradicional të pajtimit të familjeve të përfshira në gjakmarrje si dhe mbrojtjen e të drejtës së tyre të jetës në vendet perëndimore, ku ato emigrojnë nga rreziku që u kanoset në vendin e origjinës.
Fatkeqësisht në këto momente të krizës ekonomike që ka përfshirë shumë vende perëndimore, disa nga këto vende po ndryshojnë edhe ligjet për të refuzuar kërkesat për azil, përfshirë këtu edhe qytetarët shqiptarë të rrezikuar ekstremisht nga gjakmarrja në S hqipëri. Shumë vende perëndimore e kanë shpallur Shqipërinë vend i sigurtë, duke u nisur nga deklarimet e qeverisë shqiptare, që e fsheh këtë problem duke e konsideruar si turp kombëtar dhe pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kjo situatë ndaj shqiptarëve është krijuar edhe nga fobia që ekziston në shumë vende të Europës ndaj shqiptarëve si komb, i cili edhe pse i ndarë në 5 shtete, luan rol pozitiv për paqen në rajonin e Ballkanit. Shqiptarët e rrezikuar nga gjakmarrja, që lenë Shqipërinë e kërkojnë mbrojtje në vendet perëndimore përbëjnë një numër të papërfillshëm në krahasim me emigrantët e vendeve të tjera që hyjnë në Europë. Republika e Shqipërisë është me një popullsi shumë të vogël, rreth tre milionë banorë dhe janë vetëm disa qindra familje të rrezikuara nga gjakmarrja, që kanë mundur të largohen në 10 vitet e fundit e të kërkojnë azil, mbasi shumica e familjeve në hasmëri duan ta mbyllin çështjen me pajtim, duke qëndruar në Shqipëri.
Këto ditë, Komiteti është informuar se pjesëtarë të familjeve Kola, Fikaj, Nikolli, Prenga, Tyrbetari e dhjetëra të tjera janë tepër të tronditur nga mungesa e sigurisë për jetën, mbas presioneve për refuzimin e kërkesës për azil dhe paralajmërimit për t’i kthyer në Shqipëri nga zyrat e emigracionit në Belgjikë. Për Komisionet e Azilit, Ministritë e Emigracionit apo të Drejtësisë si dhe gjykatat e vendeve perëndimore nuk është aspak e vështirë për ta identifikuar rrezikshmërinë që u kanoset këtyre familjeve, sepse ato kanë dosjet e tyre në Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar.
Po kështu, për shkak të kritikave që komiteti ynë i bën qeverisë për paaftësinë për të pranuar e përballur me fenomenin e gjakmarrjes, prej disa vitesh organizohen skenarë me sulme për të ulur reputacionin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, duke dëmtuar kështu familjet që kërkojnë mbrojtjen e të drejtës së tyre të jetës në vendet perëndimore.
Duke shpresuar se do gjejmë mbështetjen tuaj në mbrojtjen e lirisë dhe të drejtës së jetës së qytetarëve shqiptarë të përfshirë në gjakmarrje, ju lutemi i nderuar Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sonë më të lartë dhe përuljen para detyrës suaj të çmueshme në shërbim të njerëzimit. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›