Gr. A, Afrika e Jugut – Francë 2-1

www.albania-sport.com - Afrika e Jugut i dha lamtumirën Kampionatit Botëror të organizuar në shtëpinë e saj duke e fituar 2-1 takimin kundër një France me dhjetë lojtarë në “Free State Stadium”, në Bloemfontein, në grupin A.
Afrika e Jugut (3 ndeshje; 1 fitore, 1 barazim, 1 humbje) kishte nevojë për një fitore me shumë gola ndaj francezëve për të përfituar nga fitorja 1-0 e Uruguaianëve ndaj Meksikës. Dy vendet nga dy Amerikat (Jugore dhe Veriore) u kualifikuan për në fazën me eliminim direkt nga grupi A.
Trajneri i Afrikës së Jugut, Karlos Alberto Parriera, bëri pesë ndryshime nga ekipi që hodhi në humbjen 3-0 kundër Uruguait. Parreira ndërtoi një linjë më të fuqishme sulmuese, duke çiftuar sulmuesit Bernard Parker dhe Mphela përballë portës.
Ashtu siç pritej, Parreira solli në portë Moenib Jozefsin dhe mesfushorin Tanduyise Khubonin në vend të Itumeleng Khune dhe Kagisho Digkacoi, të pezulluar. Trajneri brazilian u dha gjithashtu një shans nga minuta e parë mbrojtësit Anele Ngcongca dhe mesfushorit Macbeth Sibaya.
Domenek bëri gjashtë ndryshime nga ekipi që humbi 2-0 me Meksikën.
Anelka u dërgua në shtëpi të shtunën e kaluar, dy ditë pasi sulmuesi fyeu trajneri Domenek gjatë ndeshjes kundër Meksikës. Lojtarët protestuan për përjashtimin e tij dhe refuzuan të stërviteshin të dielën, ndërkohë që kapiteni Patris Evra i doli në mbrojtje shokut të tij të skuadrës.
Evra nuk luajti kundër Afrikës së Jugurt, ndërkohë që në sulm në vend të Anelkasë u fut Xhibril Sise. Domenek gjithashtu hodhi në fushë Sebastien Skilaçin, Gael Klishinë, Andre-Pierr Ginjakun, Alu Diarranë dhe Johan Grukufin. Mesfushori Zheremi Tulalan ishte i padisponueshëm për shkak të kartonëve të verdhë në këtë kompeticion.
Bongani Khumalo shënoi me kokë për t’i dhënë avantazhin 1-0 Afrikës së Jugut pas ekzekutimi të goditjes nga këndi të Sifi Tshbalalës, duke e kaluar topin mbi portierin francez, Hugo Loris, në minutën e 20-të.
Katlego Mphela shënoi më pas golin e dytë (37’) nga afër portës, pak minuta pasi Franca kishte mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Johan Gorkufit në minutën e 25-të pas një bërryli ndaj Makbeth Sibajës.
Franca (3 ndeshje; 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje) u largua kokulur nga Kupa e Botës, pa asnjë fitore, por të paktën Florent Maluda shënoi golin e parë dhe të vetëm të “gjelave” në këtë botëror.
Franca ishte zhgënjimi i parë i madh i Kupës së Botës, me probleme të shumta që nisën që nga taktikat e trajnerit Rajmond Domenek e deri të përjashtimi i sulmuesit Nikolas Anelka pas ndeshjes së dytë.
Një skenar i përsëritur edhe në Botërorin e vitit 2002, kur kampionia e botës në vitin 1998 dhe finalistja e vitit 2006, u largua pa asnjë ndeshje të fituar.
Gjithsesi, Franca, një kundërshtare e Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2012-s tani do të drejtohet nga trajneri Lorent Blank, pasi kontrata e Rajmond Domenekut përfundoi dhe Federata Franceze e Futbollit nuk ia rinovoi kontratën këtij të fundit.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 22 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili