E Diel, 1 Nëntor 2026

Suksesi i muzikës sime, folklori i mrekullueshëm

20/04/2005  Agim Krajka, një ndër kompozitorët më të njohur të vendit, i cili ka lëvruar si zhanrin e muzikës popullore, ashtu edhe të muzikës së lehtë, mbetet një njeri modest i "pandreqshëm". Në intervistën dhënë për "Metropol", Krajka ka theksuar se është folklori ynë popullor, suksesi i krijimtarisë së tij. Ai erdhi disa ditë më parë në atdhe, i ftuar nga stafi organizator i spektaklit "100 Këngët e shekullit". Vetë kompozitori është i mendimit se ky spektakël "i tregoi kësaj gjenerate të re artistësh, krijuesish, që nuk janë fëmijë pa prindër, as "bastardë", por që kanë një të kaluar... Ky spektakël u tregoi se nuk janë aspak të varfër, se kanë një shtrat të cilin duhet ta çojnë më përpara". Ai është gjithashtu tepër kritik, në lidhje me cilësinë e muzikës bashkëkohore shqipatre, duke nënvizuar se "kam ndjesinë se ata njerëz që e kanë patur në dorë këtë punë gjatë këtyre viteve, kanë dashur të ç’bëjnë atë që lamë jo vetëm ne, por një popull i tërë dhe nuk flas për atë që u krijua në 50 vite, por në qindra vite".

Një ftesë për të marrë pjesë në spektaklin "100 Këngët e shekullit", një spektakël homazh për muzikën e lehtë shqiptare...

Ftesa e Ardian Hilës dhe e organizatorëve të tjerë të këtij spektakli, vëllezërve Laço, më kapi në befasi dhe një boshllëk të madh. Eshtë një ndjenjë, ndoshta, për çdo emigrant që ka lënë vendin e tij, shtratin e tij. Kjo, pasi çdo njeri kthehet në një amebë, që përpiqet të fitojë me çdo kusht jetën e tij dhe nuk mund, por edhe nuk duhet të funksionojë me mendimin se ç'ka qenë në vendin e tij. Ftesa më zuri në befasi, pasi kisha harruar të shihja veten në një pozicion që nuk mund ta shihja më. Madje, nuk e kisha menduar kurrë se do ta ndieja veten kaq të detyruar moralisht ndaj kësaj iniciative. Nuk e di se si mund t'ua shpërblej si organizatorëve, ashtu dhe televizionit “Klan”, dhe nuk flas vetëm për veten, por besoj se edhe në emër të kolegëve të mi, padashur t'i fyej aspak, kur shpreh falenderimin dhe përgëzimin ndaj këtij aktiviteti tronditës (për mirë gjithmonë), në shoqërinë shqiptare. E them këtë, pasi ka një shprehje, e cila thotë se njeriu kur nuk di nga ka ardhur, nuk di ku do të shkojë. Pra, ky spektakël i tregoi kësaj gjenerate të re artistësh, krijuesish, që nuk janë fëmijë pa prindër, as "bastardë", por që kanë një të kalur... Ky spektakël u tregoi se nuk janë aspak të varfër, se kanë një shtrat të cilin duhet ta çojnë më përpara dhe, kjo jo vetëm për atë që ka bërë gjenerata jonë, por për vetë faktin se jemi popull me një folklor, nga më të pasurit e botës. Shqipëria është një ndër kombet që duhet ta mbajë lart kokën për këtë fakt, pasi është shumë më i pasur se edhe popuj qindra milionësh. Një folklor jashtëzakonisht i pasur, që ndryshon nga fshati në fshat, pa kaluar nga krahina në krahinë. Arti dhe folklori shqiptar nuk kanë nevojë për huazime nga të tjerët, qoftë këta edhe fqinjët tanë, përkundrazi, janë ata që na e kanë nevojën dhe janë mbështetur vazhdimisht, vazhdimisht në folklorin tonë.

Cili ka qenë ndikimi i folklorit në krijimtarinë tuaj artistike?

Po i përgjigjem pyetjes suaj, duke thënë pa hezitim se, në rast se këngët e mia apo të gjeneratës sime kanë ardhur deri në ditët tona, ne kemi një meritë shumë të vogël, e cila qëndron në faktin se u shkolluam, na dhanë zanatin e vërtetë dhe u përkushtuam në të, por baza e krijimtarisë sonë ka qenë mbështetja në folklor. Unë nuk kisha nevojë të rrija netë të tëra pa gjumë, për të gjetur motivin e këngës sime të re. Unë shkoja në Prrenjas apo kudo qoftë dhe dëgjoja dikë që i binte cules... Ky ishte frymëzimi im. E them pa hezitim, se nuk kam besuar asnjëherë se do të çudisja popullin tim me atë çfarë krijoja unë. Historikisht, populli ynë ka qenë shumë më prodhues, shumë më selektues se një individ i vetëm. Kjo është e vlefshme edhe për krijues gjigandë në botë. Listi ishte gjeni i lindur dhe më shumë se 60% e krijimeve të tij ishte bazuar në folklorin hungarez apo edhe shumë të tjerë, pasi askush nuk e ka patur folklorin kaq të zhvilluar sa ne. Eshtë për të ardhur keq me krijemet e ditëve tona, ku vihet pak ritëm e thuhet se e sollëm krijimin në kohë. Deshi nuk deshi gjenerata jonë, na u imponua apo jo, na u dha folklori si një pikë referimi, që sot mund të them pa frikë se ishte i vërtetë.

Sa i kufizuar jeni ndjerë në krijimtarinë tuaj artistike në periudhën e diktaturës?

Emri që bëra unë si krijues apo edhe shumë kolegë të mi, nuk ishte vetëm në dorën tonë, por ishte një kompromis i heshtur i krijuesit, i profesorëve tanë që na mësuan dhe midis qarqeve që kontrollonin gjithçka. Që një kënga ime të dilte në festival, duhej të kalonte në disa komisione profesionale, ku për fatin tonë të mirë merrnin pjesë profesorë të nderuar, si Çesk Zadeja, Tish Daija etj., e kjo ishte një ngushëllim për ne, pasi dinin të argumentonin, por edhe rrezikonin më shumë se ne, pasi ishin ata që e lejonin një krijim të hynte në festival. Por, ajo që kishim më shumë frikë ishin kontrollet partiake që thonin fjalën e fundit, vendimet e të cilave i prisnim me shumë ankth, pasi fusnim ritme të kufizuara, me shpresën se do ta "hanin" dhe do të jepnin okejin. Unë kisha marrë goditje më parë se të zhvillohej Festivali i XI dhe pas këtij festivali këngët e mia kontrolloheshin nga një komision i veçantë, për të arritur në një moment tjetër, kur ndonjë këngë për dashurinë që duhej të hynte në festivale, vinte me udhëzimin për t'u kompozuar nga Agim Krajka. Nuk kam tentuar të rregulloj ndonjë këngë, pasi ishte aprovuar, pasi ishte e kotë, atyre nuk ua hidhje dot, prandaj preferoja ta rrezikoja që në fillim. Por, pavarësisht nga kjo, ne përpiqeshim të bënim më të mirën, pasi nuk kishte kënaqësi dhe ngushëllim më të madh se sa kur duartrokiteshe nga salla, apo kur kënga jote këndohej apo fërshëllehej nga të gjithë. Por besoj se njerëzit i pëlqenin këngët tona, pasi kushdo gjente pak veten në to, si rezultat i bazës së tyre në folklorin popullor.

Ju ndoqët nga afër dhjetë prej këngëve të sjella në kohë me një frymë të re. Cili është opinioni juaj për cilësinë e këtyre arranxhimeve?

Të gjithë orkestruesit që kanë dashur të riprodhojnë muzikën tonë, me vërtetësi e kanë bërë shumë sinqerisht. Kush nuk ka dashur ta bëjë, besoj se ka gabuar. Personalisht mund të them se është hera e parë që shikoj riprodhimet e punëve të mia, shumë afër të vërtetës. I përgëzoj sërish organizatorët dhe shtoj se, ndoshta, duhet të kishin qenë edhe më të mbështetur zyrtarisht. Nuk duhet të harrojmë, se sado moderne të jetë një shtëpi, në fund të fundit ajo ka themele si çdo shtëpi tjetër. Shumë hutohen duke parë shtëpinë moderne, ndërsa organizatorëve të spektaklit u shkoi në mendje të "hutohen" me themelin. E përsëris, se u është bërë homazh vlerave shumë të mëdha, pasi e ritheksoj, paditur se nga vijmë, nuk do të dimë kurrë se ku do të shkojmë.

A keni kompozuar gjatë periudhës që keni qenë në SHBA?

Që të jem i sinqertë, unë kam patur fatin që të kem fisarmonikën, të cilën e kam dashur me të vërtetë shumë kur shkova atje. Me fisarmonikë e nisa dhe mesa duket me atë do ta mbyll, pasi shpresoj të kthehem një ditë. Aty nuk mund të jetosh me idenë se kush ke qenë, aty duhet të punosh fort, pasi duhet të jetosh. Aty ka shumë gjigandë. Stravinski, Amarinovi etj., u bënë të mëdhenj dhe vdiqën aty, por edhe shumë të tjerë. Unë nuk mund të isha aq i madh, por duhet të pranoj se, nëse nuk do të isha kaq i zoti sa jam, do të kishte qenë shumë e vështirë të mbijetoja, të paktën si muzikant-instrumentist. Kam punuar për nëntë vjet në restorantin "Exellent", në Bradëay, ku ishin vetë artistë me emër, që shpreheshin me fjalët më të mira, duke thënë: "Një instrumentist i shkëlqyer. Ku e keni gjetur?". Përmend këtu aktoren Jessica Parcker, që luante në serialin e mirënjohur "Sex and the city", e cila më ftoi për ta shoqëruar në një këngë të Frank Sinatrës, gjatë një nate që kishte ardhur në restorant, ku më pas u ftova të luaja edhe disa minuta në vetë serialin apo edhe një regjisor tjetër, i cili më kërkoi të luaja në një film të "Miramax" rreth 5 minuta dhe është një nder i madh të shikosh në titrat e një filmi të shkruhet: në akordeon Agim Krajka. Të gjitha këto i them për faktin se, këto impenjime nuk të krijonin mundësinë për të kompozuar. Mund të shkruaja, por për fat të keq komuniteti shqiptar nuk kërkonte atë që unë dëshiroja të shkruaja. Shijet e tyre ishin tepër larg shijeve të mia. Nuk krijova, por për disa kohë punova me parametrat dhe principet e mia, me Parashqevi Simakun e Morena Rekën. Por duhet të theksoj se, edhe mësova shumë gjatë kohës që punova në "Exellent", pasi formimi ynë klasik nuk ishte i mjaftueshëm për ta mbajtur atë punë. Mund të them se bëra gjatë këtyre viteve një shkollë të dytë, ku u detyrova të mësoja shumë nga muzika amerikane e të gjitha zhanreve, që tani e pohoj se ka qenë e nevojshme, madje, e domosdoshme ta njohim, por që në kohërat e atij izolimi të tmerrshëm ishte e pamundur të kishim kontakt të drejtpërdrejtë me të. Prisnim se çdo të dëgjonim fshehurazi nga ndonjë stacion i huaj radiofonik. Një problem që në Amerikë apo edhe në vende të tjera, jo vetëm që nuk ka ekzistuar, por ke një mundësi të pafund njohjeje.

A mendoni të rikrijoni tashmë, që gjërat janë më komode për ju?

E thashë që nuk jam marrë me krijimtari, me përjashtim të vitit të fundit, ku kam kompozuar rreth 6 këngë për albumin e këngëtares shqiptare Djana Vejushi, album me këngë popullore, i cili pati sukses. Së fundmi, kam krijuar këngë për një album të muzikës së lehtë, por që ende nuk kam vendosur për këngëtarin. Gjatë ditëve të qëndrimit tim këtu kam përzgjedhur disa, por ende nuk kam vendosur se me kë do të bashkëpunoj. Kam kompozuar rreth 7-8 këngë deri tani, në të cilat nuk kam harruar të jem shqiptar, por nuk kam harruar që jemi mbarsur edhe me njohje të reja.

Si e shihni krijimtarinë e këtyre viteve të fundit në muzikën shqiptare?

Që të jem i sinqertë, unë kam ardhur këto 4-5 vitet e fundit dhe do të dija të ndaja muzikën popullore dhe muzikën e lehtë, që të dyja mbase quhen shqiptare. Nuk e di pse, po kam ndjesinë se ata njerëz që e kanë patur në dorë këtë punë gjatë këtyre viteve, kanë dashur të ç’bëjnë atë që lamë jo vetëm ne, por një popull i tërë dhe nuk flas për atë që u krijua në 50 vite, por në qindra vite. Nëse dikush nuk ishte në gjendje të krijonte një këngë popullore, le të shkonte në çdo fshat të vendit dhe do të gjente një motiv, gjë që do ta bëja edhe vetë, për të qenë serioz dhe origjinal. Drama më e madhe që kam ndeshur këtu është fakti se marrin këngë popullore, perla të folklorit fshatar apo qytetar dhe gjoja i kanë sjellë në kohë, të shpërfytyruara krejtësisht. Eshtë një lloj si të dhunosh një muzeum, një të drejtë që nuk e ka askush. Kanë humbur të gjitha zhanret e muzikës popullore, këngët e dasmës etj., dhe dëgjon kudo të njëjtat ritme të pavlera, me një fytyrë të vetme, krijime tepër të papërgjegjshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›