E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabisin dhe plagosin çiftin. Rrëfimi: 3 veta me automatik më goditën gruan

PEQIN - Tre persona që dyshohet se ka qenë të armatosur dhe të maskuar kanë tentuar të grabisin me dhunë gjatë natës së enjte banesën e një çifti, në një fshat të nënprefekturës së Peqinit.

Ngjarja e rëndë, sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit ka ndodhur në fshatin Çelhakaj të komunës së Gjocajt .

Sipas burimeve zyrtare nga policia, grabitësit pak pas mesnate kanë hyrë forcërisht në banesën e çiftit Haki e Farie Beqiri dhe kanë tentuar të grabisnin sende me vlerë dhe paratë që kishte në shtëpi familja në fjalë. Ndërkaq çifti ka reaguar duke bërë rezistencë por është bërë pre e dhunës barbare.

Grabitësit i kanë qëlluar me mjete të forta në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit duke ju shkaktuar bashkëshortëve, Haki e Farie Beqiri, përkatësisht 57 dhe 52 vjeç, dëmtime serioze.

Pas alarmit të dhënë nga të dëmtuarit grabitësit janë larguar me shpejtësi, ndërsa në vendin e ngjarjes ka shkuar policia.

Ndërkaq bëhet e ditur se bashkëshortët, Haki e Farie Beqiri kanë mbetur të dëmtuar dhe janë transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Burime spitalore pohuan se shtetësja Farie Beqiri është dhunuar dhe goditur me mjete të forta dhe ka pësuar plagë serioze, çka e ka bërë gjendjen e saj shëndetësore mjaft te rende, ndërsa bashkëshorti i saj ka pësuar plagë më të lehta nga përleshja me grabitësit dhunues.

Nga ana tjetër policia po punon intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje si edhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj. 

Ndërkaq policia ka shoqëruar 15 persona si të dyshuar mbi grabitjen në orët e para të natës në Peqin.

Rrefen grabitjen pronari i baneses
Haki Beqiri, personit të cilit iu grabit banesa sot në mëngjes rrëfen për News24 skenën e krimit.
“Unë isha në shpi, hapën dritën, na vranë. Ikën, na lanë aty pa ndjenja. Dola ndeza dritën përjashta dhe thërrita fqinjët. Gruaja ishte pa ndjenja aty, unë mezi lëvizja. Kur hynë në shpi na zgjuan nga krevati, ishim duke fjetur. Tre veta ishin, me automatik në dorë. ‘Do të vras fare tha’, i thashë ‘më vrit’. Ai me goditi me qytë. Gruaja bërtiti, tha ‘bobo e vratë’, ata goditën dhe atë", tregoi Hakiu per News24.

(a.k/d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: Tre persona grabisin dhe plagosin çiftin. I moshuari: Ja si më goditën gruan Tiranë, sherr mes dy familjeve, një i plagosur rëndë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›