E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisin pikën e karburantit, identifikohen nga serbatori i harruar

Gjirokastër- Dy të rinj nga qyteti i Gjirokastrës kanë grabitur me armë një pikë karburanti në qytetin e tyre duke i marrë punonjësit një sasi prej 60 mijë lekësh.

Policia e Gjirokastrës njofton se rreth orës 23:45 të së hënës dy të rinjtë, 21 vjeçari Rafael Vasho dhe shoku i tij që është shpallur në kërkim kanë ndalur në pikën e karburantit në vendin e quajtur Ura e Lumit, për të furnizuar me karburant automjetin me të cilin po udhëtonin.

Në momentin që punëtori po furnizonte me karburant automjetin, njëri prej tyre e ka kërcënuar me kallashnikov për t’i marr të gjitha lekët e xhiros. Në portofol punonjësi kishte vetëm 60 mijë lekë të reja, pasi kishte vetëm pak që kishte marr turnin. Ata janë larguar me shpejtësi, por harruan në pikën e karburantit kapakun e serbatorit të automjetit.

Punonjësi ka lajmëruar menjëherë policinë e cila pas hetimeve të hollësishme arritën të arrestojnë Rafael Vashon, pronarin e mjetit, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëautori i tij i cili kërcënoi me armë punonjësin e pikës së karburantit.

Ky i fundit ka marr edhe automjetin bashkë me armën dhe është fshehur. Mbi ta rëndon akuza e “vjedhjes në bashkëpunim”.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›