E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A Zeman akuzon gjyqtaret

Disfata e pabesueshme e Romës me Udinesen ka lënë shije të hidhur te Zdenek Zeman. Verdhekuqtë kryesonin 2-0 vetëm pas 24 minutave lojë, megjithatë në fraksionin e dytë të sfidës, miqtë arritën të përmbysnin shifrat, me një 11-metërsh pas duelit në zonë ndërmjet Castan dhe Pereyra-s.

“Pasi e pashë sërish aksionin në televizor, mendoj se faulli ishte inekzistent. Duke llogaritur edhe fitoren e Juventusit, kjo ishte një ditë e pafat për gjyqtarët. Thuhet shpesh se ata nuk mund të ndikojnë në kampionat, por unë mendoj që mund ta bëjnë”, tha Zeman.

Tekniku i Romës, i cili njihet për polemikat e shumta, mbi të gjitha kundër klubeve kryesore në Itali, ka vazhduar ankesën për gjykimin duke thënë se “Armero meritonte të ndëshkohej pasi pështyu Tachtsidis, ndërsa gjyqtari i katërt ishte vetëm një metër larg dhe nuk reagoi”.

Pretendimet e 56-vjeçarit nuk lidhen vetëm me golin me penallti që i dha fitoren Udineses, por edhe me momentin e rrjetës së parë të friulianëve. “Edhe në golin e tyre të parë kishte një shtyrje ndaj Osvaldos, nënvijëzoi ai. Kjo na zemëroi”.

Duke iu kthyer polemikave për ndeshjen Catania-Juventus, Zeman shigjetoi armiqtë e betuar bardhezinj. “Në catania ndeshja duhej të ishte 1-0 për vendasit, por u bë 1-0 për miqtë. Këto janë rezultate të ndryshuar”.

Në fund Zeman i ka kërkuar skuadrës që të rritet, pasi Roma e këtij sezoni paraqitet mirë për disa minuta, por më pas lëshon në loëjn e saj, duke shpërdoruar tri pikë që fillimisht dukeshin të sigurta, si kjo me Udinesen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›