“Gërdec, flakët fikeshin me kova”
Armand BajramiNjë nga ish-punonjësit e mitur të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec tha dje në Gjykatën e Tiranës se në fabrikë kanë rënë edhe zjarre të tjera para shpërthimit të 15 marsit 2008. Sipas Flogert çikut, ndonëse shuarja e zjarreve ishte bërë nga vetë punëtorët, me kova me ujë dhe mjete rrethanore, asnjë masë tjetër nuk ishte marrë më pas për sigurinë e punëtorëve në fabrikë. Dëshmia e çikut, 16-vjeçar gjatë kohës që kishte punuar në Gërdec, u dëgjua në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të akuzuarve, si shkaktarë të tragjedisë që mori jetën e 26 personave, plagos mbi 300 të tjerë dhe dëme të shumta materiale. Dëshmitari rrëfeu para togave të zeza për “përvojën” e tij si punonjës në Gërdec gjatë muajve të verës së vitit 2007. “Në fabrikë nuk ka pasur zjarrfikëse, por kishim kovat e ujit për çdo të papritur. Në një rast, gjatë punës sime në fabrikë, mbaj mend se pranë makinerive të çmontimit të fishekëve ra një zjarr i vogël dhe për ta shuar atë, u përdorën kovat e ujit”, tha dëshmitari duke saktësuar se kjo ka ndodhur në korrik 2007. çiku pohoi përpara togave të zeza se incidentet ishin të pranishme në fabrikën e demontimit të municioneve. “Gjatë transportit të fishekëve, pranë makinerive të demontimit ndodhte që ndonjë fishek të binte në tokë. Kam parë njëherë një fishek që plasi në tokë, pasi u shkel nga rrota e hekurt e një karroce të ngarkuar me arka. Por edhe pse plasi, ai nuk shkaktoi vatër zjarri”, tha dëshmitari. Duke iu përgjigjur palëve, dëshmitari tregoi dje procesin e punës që bënte në fabrikë dhe mjetet të cilat përdorte. “Punonim në grupe me nga katër veta. Hapnim arka prej druri me fishekë. Brenda tyre ishin dy arka të tjera metalike. Arkat e drurit i hapnim me levë dhe me çekiç, ndërsa ato metalike me pinca. Në vijim fishekët e nxjerrë nga arkat e vogla metalike i vendosnim sërish në arka druri dhe me karroca i dërgonim te makineria e demontimit të fishekëve. Norma për grupin ishte të hapnim 160 arka në ditë”, rrëfeu 18-vjeçari çiku. I pandehuri Dritan Minxolli pranoi dje në seancë se kishte punësuar gra në fabrikë duke shkelur rregullat e punësimit. Sipas të pandehurit, këtë veprim ai e kishte kryer për t’u ardhur në ndihmë punëkërkuesve, duke pasur parasysh kushtet e vështira ekonomike të tyre.Ish-punëtorja: Saldime pranë fabrikës në GërdecTIRANE – Caje çiku, një nga dëshmitarët e djeshëm në seancën e dosjes “Gërdeci”, tha se karrocat e prishura saldoheshin vetëm pak metër larg fabrikës. Ajo rikonfirmoi para togave të zeza të Gjykatës së Tiranës se në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec ishin të punësuar edhe të mitur, një prej të cilëve djali i saj. Sipas dëshmitares, transporti i fishekëve bëhej me anë të karrocave metalike. “Njëherë mbaj mend që na u prish karroca. E salduam rreth 30 metra larg fabrikës te shtëpia e Qemal Deliut”, tha dëshmitarja çiku. Dëshmitarja nuk kujtonte dje që në Gërdec të kishte pasur mjete të posaçme për fikjen e zjarrit, në raste rreziku. Sipas saj, të vetmet mjete me të cilat mund të fikej zjarri ishin disa kova me ujë. “Punëtori te makineria e fishekëve kishte një kovë me ujë. Në rast zjarri, ai kishte kovën për ta fikur atë”, u shpreh çiku. Ish-punonjësja në Gërdec pohoi para gjykatës se i kishte kërkuar Dritan Minxollit ta punësonte në fabrikë, për shkak të vështirësive ekonomike. ar.ba “Saldimi shkaktoi tragjedinë”TIRANE – Sadik Sula kishte qenë vetëm pak metra larg vatrës së zjarrit, që shkaktoi shpërthimin në Gërdec në mars të vitit 2008. Dje para gjykatës, dëshmitari Sula, tregoi momentet e para që u pasuan me tragjedi. “Ditën e ngjarjes, pak minuta para mesditës, dëgjova një zë: baruti u ndez!. Pashë një flakë 2 metra të lartë. Mendoj se ishin thasë të ngarkuar mbi një karrocë. Vrapova të shpëtoja kokën. Pas 2 minutash nga koha kur ra flaka, ishte shpërthimi i parë. U rrëzova. Pashë që ishin rrëzuar dhe të tjerët. Nuk mund të çohesha se kisha vrarë gjurin. Më ndihmoi dikush. Nga shpërthimi tjetër humba për disa momente 100 për qind dëgjimin. Nuk arrija të dëgjoja as zërin tim kur u flisja të tjerëve”, tha dëshmitari. Po dje dëshmitari, që në Gërdec kishte punuar në procesin e heqjes së djegoreve nga predhat, tha se mendonte se shpërthimi në Gërdec kishte ardhur nga përdorimi i një karroce të saposalduar. Sipas dëshmitarit, këtë ia kishte pohuar një tjetër i plagosur një ditë pas ngjarjes, teksa po kurohej në Spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet. “Sipas atij djalit, që nuk ia mbaj mend emrin dhe as fytyrën, një punëtor tjetër e kishte marrë shpejt karrocën e salduar në një shtëpi rreth 30 metra larg fabrikës, ende pa u ftohur saldimi”, deklaroi dëshmitari. Dëshmitari tha se e kishte kërkuar vetë punën në Gërdec dhe se kishte pranuar kushtet që i kishin vënë drejtuesit e fabrikës. ar.ba