Grabisnin makinat në Tiranë, në pranga 2 persona

Uniformat blu të kryeqytetit bënë të mundur që të finalizojnë me sukses një operacion policor për vënien nën pranga të një grupi hajdutësh të automjeteve.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Zejnel Meçe 35 vjeç, nga Kuksi, dhe Gëzim Zek Buqa 19 vjeç, lindur dhe banues në Suharekë të Kosovës të cilët akuzohen për vjedhjen e 18 automjeteve në kryeqytet përgjatë vitit 2011 dhe janar 2012.
Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Parku”, ku janë dokumentuar 18 vjedhjet e automjeteve. Sipas policisë po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të bërë nga këta dy shtetas, pasi një pjesë të automjeteve mendohet se kanë kaluar në Kosovë, nëpërmjet rrugëve dytësore.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar; aksesorë të automjeteve të vjedhura, disa çelsa, pinca dhe doreza që shërbenin për hapjen e automjeteve.