Dëbora, Emergjencat civile: Masa për zhbllokimin e rrugëve

I ftohti i ditëve të fundit, ku termometri shënon disa gradë nën zero, reshjet e dëborës kanë izoluar akse rrugore dhe komuna në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të fundit të sallës operative kombëtare të emergjencave civile, problematike situata mbetet në veri në vendit, kryesisht në Kukës ku 4 komuna të këtij qarku kanë mbetur të bllokuar për shkak të akullit dhe dëborës. Trifon Llupo, kreu i Qendrës Operative të Emergjencave, thotë se borëpastrueset po punojnë në këto zona për zhbllokimin e rrugëve.
Edhe në Korçë, situata është problematike. Aksi Kapshticë-Kozanë është i bllokuar për mjetet e tonazhit të rëndë, ndërsa ngricat kanë vështirësuar qarkullimin edhe në aksin Korçë-Kapshticë, në Qafën e Qarrit, si edhe në Voskopojë.
Në rrugët ku ka prezenca akulli dhe dëbore, ekpertët e emergjencave civile i bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të kenë në kontroll shpjetësinë dhe automjetet të lëvizin vetëm me zinxhir, për shkak të rrezikshmërisë në këto zona.
Ndërsa në Qafën e Llogarasë dhe në Vlorë situata është normalizuar, por edhe në këtë rast apeli për drejtuesit e automjeteve është për më shumë kujdes për shkak të pranisë së akullit në segmente të caktuara rrugore. Situata ditën e sotme duket më e normalizuar në Dibër dhe në Shkodër.