E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Preshevës: Na vizitoni!

PRESHEVË- Intelektualët shqiptarë të Luginës së Preshevës, kërkojnë që presidentët dhe kryeministrat e Kosovës e të Shqipërisë të vizitojnë komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

"Meqë presidenti Tadic dhe zyrtarët e tjerë serbë hyjnë e dalin në Kosovë për një grusht bashkëkombësish të tyre atëherë dhe Topi, Jahjaga, Berisha dhe Thaci duhet të marrin përgjegjësinë dhe shembullin që të vijnë e të vizitojnë tri komunat e anashkaluara shqiptare nën Serbi, të vizitojnë monumentet kulturo-historike shqiptare si Molla e Kuqe, Masurica dhe lokalitetet tjera, etj", theksojnë intelektualët shqiptarë të Luginës, të kryesuar nga publicisti Refik Hasani.

Një arsye tjetër për këtë vizitë, sipas banorëve vendas, është simbolika e 1 dhe 2 marsit, që këtë vit shënon 20 vjetorin e referendumit të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën.

Intelektualët shqiptarë të Luginës apelojnë tek institucionet shqiptare në Tiranë, dhe në Prishtinë, që t´ë ngrenë zërin për të rikujtuar dëbimin dhe gjenocidin masiv të ushtruar ndaj shqiptarëve në këtë rajon. Ilir Meta, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm shqiptar, dy vite më parë ishte një ndër zyrtarët më të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar që vizitoi Luginën e Preshevës.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›