Rivali i Karzait tërhiqet nga raundi i dytë, kaos
Sfiduesi i Presidentit afgan Karzai, Abdulla Abdullah është tërhequr nga raundi i dytë i zgjedhjeve duke paralajmëruar popullsinë, se komisioni elektoral nuk do të lejonte zgjedhje demokratike. Ish-ministri i Jashtëm afgan, konfirmoi atë që përflitej prej disa ditësh: “Nuk do të marr pjesë në raundin e dytë të balotazhit të zgjedhjeve presidenciale”, tha ai i bindur se që tani kishte zbuluar mashtrime e manipulime. Megjithatë ai nuk i imponoi përkrahësit e tij të bojkotimin zgjedhjet. “Populli nuk duhet të pranojë zgjedhje të organizuara nga komisioni aktual elektoral. Por secili duhet të vendosë nëse duhet të votojë apo jo”, tha ai. Ndërkohë talebanët kërcënojnë sërish për dhunë për të gjithë ata që shkojnë të votojnë. Hamid Karzai e hodhi poshtë kërkesën e rivalit të tij për heqjen e zyrtarëve që drejtuan raundin e parë të zgjedhjeve. Zëdhënësi i Karzait, Uahed Omar tha se tërheqja e rivalit ishte për të ardhur keq, por zgjedhjet duhet të zhvilloheshin siç ishin planifikuar. Nuk dihet se si do të shkojnë të votojnë njerëzit kur aktualisht ka vetëm një njeri kandidat për president. Vendimi i ish-ministrit Abdullah e ka bërë situatën zgjedhore pak kaotike. Një situatë e tillë nuk ishte parashikuar as nga Kushtetuta e Afganistanit, e cila nuk e mbulon një situatë të tillë ku ndodhet tani vendi, që po përgatit një raund të dytë zgjedhjesh me vetëm një kandidat në garë, presidentin Hamid Karzai. Sipas informacioneve të mediave, vazhdojnë përpjekjet për të shmangur një raund të dytë votimi, i cili u nxit nga diplomatët e huaj. Të njëjtët diplomatë që e nxitën presidentin Karzai të pranonte raundin e dytë, tani dëshirojnë t’i japin fund procesit, për të mbrojtur stafin e tyre, vetëm pak ditë pas atentatit në qendër të Kabulit që vrau 5 anëtarë të OKB-së. BBC përmend se një opsion është që Gjykata e Lartë e Afganistanit mund të marrë një vendim, në mungesë të udhëzimit nga Kushtetuta për këto raste dhe ta shpallë fitues presidentin Karzai. Ndërkohë, talebanët kërcënojnë sërish për akte dhune kundër votuesve.