Turqia merr komandën e NATO-s në Kabul
Ushtria franceze ka transferuar komandën e trupave të NATO-s në Kabul te Turqia. Kontingjenti francez që ishte i pranishëm në Kabul nga viti 2002 është transferuar në një rajon tjetër. Gjenerali Levent Çolak ka deklaruar se prania ushtarake turke në Afganistan nuk duhet të shikohet vetëm si detyrë ushtarake. Ai ka thënë se “bazat e përbashkëta kulturore: religjioni, vlerat, traditat dhe vullneti i mirë, do të ndihmojnë për t’i tejkaluar të gjitha vështirësitë”. Franca ka në Afganistan rreth 3000 ushtarë, ndërsa Turqia rreth 1700. Ndërrimi i drejtimit ndodh në kohën kur vendi po përgatitet për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kur talebanët kanë kërcënuar se do të organizojnë sërish sulme të dhunshme kundër forcave ndërkombëtare.