Grabit me armë mjetin, qëllon në ajër me kallashnikov
Policia arreston 30-vjeçarin në kodrat e zonës me ndihmën e qenit\
ELBASAN - Terrorizon banorët e zonës me breshëri automatiku, grabit një drejtues mjeti nën kërcënimin e kallashnikovit dhe largohet në kodra për t'i shpëtuar policisë. Kjo ka qenë ngjarja e ndodhur në mesditë në rrugën automobilistike Elbasan-Cërrik, në vendin e quajtur Lagjja e Çamëve. Policia ka vënë në pranga 30-vjeçarin Eduart Avdi me banim në lagjen "Shënkoll" të qytetit të Elbasanit.
Ky i fundit, nën kërcënimin e kallashnikovit ka ndaluar një mjet tip "Benz" me targa EL1655B me drejtues shtetasin I.Bërdufi nga Cërriku, i cili udhëtonte me djalin dhe bashkëshorten e tij për në vendbanim. Pasi i ka drejtuar armën, ai i ka grabitur atij rreth 30 000 lekë të reja.
Avdiu pas kësaj ka hedhur armën dhe është larguar duke kaluar mes shtëpive dhe më tej në kodrat e ndodhura mbi Lagjen e Çamëve. Me dhjetëra efektivë kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur krehjen e territorit. Brenda një ore ai është kapur nga agjentët me ndihmën edhe të qenit, që gjurmoi vendndodhjen e tij. 30-vjeçari akuzohet për grabitje me armë dhe prishje të qetësisë publike.
Ndërkohë, burime të policisë kontradiktore me njëra-tjetrën deklaruar fillimisht se 30-vjeçari kishte reaguar duke qëlluar me armë pasi disa minuta më parë në qytet ishte arrestuar i vëllai, i kërkuar për dezertim nga ushtria. Sipas policisë reagimi i të riut ka ardhur në shenjë proteste. Kjo u deklarua nga drejtues të lartë të policisë. Por në një deklaratë zyrtare është sqaruar se motivi i ngjarjes ka qenë grabitja.
Banorët: Dëgjuam breshërinë. Nuk morëm vesh asgjë
Banorët e lagjes "Çamëria" kanë dalë të tmerruar nga shtëpitë e tyre pas të shtënave që kanë dëgjuar në rrugë rreth orës 14:00 të ditës së djeshme. Ata thanë se nuk panë asgjë, sepse dolën me vonesë nga shtëpitë. "Pamë vetëm gëzhojat dhe policë të shumtë që mbërritën. Dëgjuam dy breshëri dhe më pas heshtje.
Vetëm kaq mund të themi". E pikërisht i riu ka qëlluar fillimisht në ajër që ka sjellë edhe ndalimin e mjetit "Benz" dhe më pas e ka ndaluar atë duke i kërkuar të gjitha paratë që kishte. Burri 40-vjeçar i druajtur për jetën e familjes së tij ka nxjerrë të gjitha paratë dhe ia ka dhënë. Kjo ka bërë që më pas 30-vjeçari të largohet pa i shkaktuar dëm mjetit dhe pasagjerëve.
Pak metra më tej në një kanal është gjetur kallashnikovi, ndërsa mes barit një krëhër fishekësh. Në asfalt janë numëruar disa gëzhoja, ndërsa i gjithë qarkullimi i rrugës nacionale u bllokua për shumë minuta.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë mjaft efektiva dhe drejtues policie. Mësohet se ndaj autorit janë grumbulluar dëshmi dhe prova të mjaftueshme. Veç vënies në kërkim nga efektivat është ndërhyrë me anë të qenit të kufirit për të mbërritur në gjurmët e 30-vjeçarit. Pasi ka ecur më kot në këmbë në kodra, ai është vënë në pranga nga agjentët, i paarmatosur dhe pa bërë rezistencë.
Mësohet se 30-vjeçari ka pranuar të ketë kryer grabitjen madje mësohet se arsyeja e gjithë kësaj ishte arrestimi i të vëllait të tij për dezertim nga ushtria. Gjithsesi agjentët e policisë në bashkëpunim me prokurorinë po hetojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja e rëndë.