E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një 42-vjeçar përdhunon të miturën

LUSHNJË/ Mbi një 9-vjeçare është ushtruar dhunë seksuale. Vajza është dërguar në spital në gjendje të rëndë

Policia arrestoi autorin e dyshuar, i cili është nga fshati Barbunjë i Lushnjës. Burri u vu në pranga pas dëshmive


Një 9-vjeçare ka qenë viktimë e një përdhunimi të ndodhur pasditen e së dielës në Kolonjë të rrethit të Lushnjës. E mitura ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë, ndërkohë që pas rreth 24 orësh policia ka vënë në pranga autorin 42-vjeçar, banor të fshatit Barbunjë të Lushnjës, i cili akuzohet për "marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura".


Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të gjyshërve të vajzës, ndërkohë që prindërit e saj jetojnë si emigrantë jashtë shtetit për shkak të gjendjes së keqe ekonomike në të cilën ndodhen.


Ngjarja


Një e mitur 9-vjeçare banore e Kolonjës së rrethit Lushnjë, është përdhunuar nga një 42-vjeçar. Mësohet se e mitura është marrë nga burri ndërkohë që ajo ishte nisur për në dyqan nga gjyshërit. Vajza është çuar në afërsi të pikës turistike të Ardenicës dhe mbi të është ushtruar dhunë seksuale.


Gjyshërit shprehen se ajo kishte dalë nga shtëpia për në dyqan rreth orës 12:00 të drekës dhe vetëm 4 orë më pas një fqinjë e ka rikthyer atë në shtëpi. Mësohet se 42-vjeçari i ka dhënë një shumë prej rreth 400 lekësh të reja të miturës për ta gënjyer dhe për ta tërhequr me vete.


Më pas ai ka filluar ta prekë e më pas ka ushtruar mbi të dhunë seksuale. Një grua e ka gjetur vajzën të përgjakur dhe e ka marrë duke e çuar në shtëpi e duke i treguar gjyshërve të së miturës atë çka kishte parë.


Fillimisht ata kanë menduar ta mbanin ngjarjen të fshehtë, por gjatë natës vajza ka qenë në gjendje të rëndë për shkak të hemorragjisë, si dhe tensionit të lartë. Një gjë e tillë ka bërë që ajo të çohet në spitalin e Lushnjës e më tej të përcillet për tek bluzat e bardha të kryeqytetit me shpresën e përmirësimit të gjendjes. Ndërkohë është njoftuar policia dhe kanë filluar hetimet për gjetjen e autorit.


Hetimi


Burimet nga policia u shprehën se nisën hetimet dhe u morën në pyetje shumë banorë të zonës për të bërë identifikimin e autorit i cili kreu marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Nga ana e gjyshërve të vajzës u deklarua se prindërit e mbesës së tyre ndodheshin jashtë shtetit. Veç 9-vjeçares, gjyshërit mbanin dhe motrën dhe vëllanë e saj më të vogël.


Gjendja e vështirë ekonomike e familjes i kishte detyruar prindërit e vogëlushes të emigronin në Greqi. Familja jeton në një varfëri të plotë dhe mbahet vetëm me pensionet e gjyshërve dhe ndonjëherë me ato pak të ardhura që prindërit e fëmijëve dërgojnë nga Greqia.


Mësohet se deri në orët e mesditës prindërit e vajzës nuk dinin ende asgjë, pasi sipas gjyshërve ata nuk kishin asnjë numër kontakti. Ndërkohë, pas njoftimit të policisë nga spitali i Lushnjës, nisën dhe hetimet për këtë ngjarje.


Janë marrë të gjitha dëshmitë e personave që kanë parë ditën e diel personin që shoqëronte për disa minuta në rrugët e komunës Kolonjë vogëlushen. Policia është bazuar më tepër në dëshmitë e vogëlushes, e cila, sipas burimeve të gazettes, mësohet se ka bërë përshkrimin e autorit.


Në bazë të kësaj, në orët e pasdites ka përfunduar në pranga një 42-vjeçar nga fshati Barbunjë i rrethit Lushnjë. Mësohet që personi me inicialet F.K. ishte i pamartuar, por ende nuk dihet nëse ai ka ditur lidhur me situatën ekonomike të familjes dhe faktin që vajza nuk i kishte prindërit.


Dëshmia


Ndërkohë, gjyshi i vajzës thotë se në orën 12:00 të së dielës vajza doli për të marrë bukë në dyqan. E pritën disa orë po ajo nuk po kthehej. Pavarësisht merakut, ata nuk dinin se ç'të bënin.


"Rreth orës 16:00 ajo u kthye në shtëpi. E solli një grua. Më tha se u vonova pasi më kapi një burrë prej krahu dhe më mori në mal me vete dhe m'u hodh lart. Ajo e kishte kafshuar. Unë nuk e di kush është, por vajza po të pyetet mund ta njohë", rrëfen gjyshi i 9-vjeçares.

**********************

Autori rrezikon 15-25 vjet burg

Neni 100 - Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur


Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.


Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.


Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›