E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura shtetërore, nesër prova e fundit

Provimet me zgjedhje do të zgjasin katër orë, nxënësit do të kenë dy orë në dispozicion për çdo test


Rreth 35 mijë maturantë në të gjithë vendin do të përballen ditën e nesërme me provën e fundit të maturës shtetërore, provimet me zgjedhje. Në formularin A1 nxënësit kanë përzgjedhur një binom lëndësh, të cilat i kanë konsideruar si më afërta me programin e studimeve universitare që do të zgjedhin në formularin A2.


Nesër në orën 10:00, nxënësit do të testohen për të fundit herë mbi njohuritë e marra gjatë viteve të shkollës se mesme, pasi provimet me zgjedhje janë faza e tretë dhe përmbyllëse e Maturës Shtetërore 2010. Specialistët e AVA-s të ngujuar brenda kësaj agjencie prej një jave po punojnë për hartimin e tezave të provimeve të fizikës, njohurisë për shoqërinë, kimisë, ekonomi- filozofisë, biologjisë, historisë, gjeografisë, si dhe gjuhëve të huaja, anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht. Gjatë ditës së nesërme maturantët do të japin dy provime, ku për zgjidhjen e secilit test kanë në dispozicion dy orë kohë.


Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë dhe 10 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë.


rocedura e korrigjimit do të jetë po ajo që është ndjekur edhe gjatë provimit të Matematikës dhe Letërsisë. Pas përfundimit të testimit, fletët e provimit do të dërgohen në katër qendrat e vlerësimit, në Tiranë, Fier, Elbasan dhe Shkodër, ku do të korrigjohen nga dy specialistë. MASH bën të ditur se pas përfundimit të Maturës Shtetërore do të nisë menjëherë shpërndarja në shkolla e formularit A2.


Sipas Ministrisë, ky formular ka përfunduar dhe shumë shpejt do të jetë në duart e maturantëve. Por, para formularit A2, maturantët do të njihen me notën, me të cilën janë vlerësuar në provimin e Matematikës, kjo do të ndodhë pas përfundimit të provimeve të lëndëve me zgjedhje. "Shekulli" do të botojë të plotë notat për të gjitha shkollat e mesme të vendit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›