E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabit me dhunë baxhanakun, prangoset

GJIROKASTËR/ Policia ka arrestuar shtetasit Luljan Ferzja dhe Bujar Skënderaj, të akuzuar për vjedhje me dhunë

Viktima ishte i afërm i Skënderajt dhe në momentin e ngjarjes, rreth orës 21:00, ishte duke shkuar për në shtëpi


GJIROKASTËR- Të maskuar, bashkë me shokun dhunojnë e grabisin baxhanakun, por përfundojnë në pranga. Ngjarja është regjistruar një ditë më parë në lagjen "Kodra e Shtufit" në qytetin e Gjirokastrës, ndërkohë që policia ka ndaluar shtetasit Luljan Ferzaj dhe Bujar Skënderaj, ky i fundit i afërt me viktimën e grabitjes. Ndaj tyre është ngritur akuza e "vjedhjes me dhunë", teksa i dëmtuari ka përfunduar në spital.


Ngjarja


44- vjeçari me inicialet A.P lindur dhe banues në lagjen "Kodra e Shtufit" e qytetit të Gjirokastrës rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të mërkurës është ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët pasi e kanë goditur me mjete të forta, i kanë grabitur atij një shumë prej 20 mijë lekësh të rinj, si dhe një telefon celular tip Nokia.


Sipas deklarimeve që i dëmtuari ka dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore, që kanë mbërritur në vendngjarje menjëherë pas një telefonate në Sallën Operative, ai ka qenë duke shkuar në shtëpi, ndërkohë që pas dhunimit dhe grabitjes të dy personat janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira. Si rrjedhojë, 44-vjeçari është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe sipas policisë, gjendja e tij është e qëndrueshme.


Policia


"Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës së bërë nga ana e Specialistëve për Parandalimin e Krimit në komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe specialistëve të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, si dhe angazhimit të një numri të madh forcash policie, u bë e mundur që në mesnatë të zbardhej plotësisht kjo ngjarje dhe autorët: 21- vjeçari Luljan Ferzaj dhe 39- vjeçari Bujar Skënderaj, të dy lindur e banues në qytetin e Gjirokastrës, të arrestohen në flagrancë, ku u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale celulari dhe një sasi e lekëve të grabitura.


Autori Bujar Skënderaj është baxhanak me shtetasin që vodhi me dhunë, pra me shtetasin e dëmtuar A.P", u shpreh në deklaratën për shtyp zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai lidhur me këtë ngjarje. "Vjedhje me dhunë" është vepra penale që rëndon mbi dy të arrestuarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›